E thotë Duka/ Një miqësore “Botërori” para Europianit, Shqipëria mund të luajë kundër Kombëtares nga Amerika e Jugut

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, trajneri i ekipit Kombëtar, Silvinjo dhe dy ndihmësit e tij, Pablo Zabaleta dhe Doriva kanë dhënë një intervistë për emisionin “Exclusive” me gazetarin Endi Tufa në televizionin “Top Channel” ku kanë rrëfyer emocionet e kualifikimit në finalet e Europianit “Gjermani2024”. Presidenti Duka theksoi se Shqipëria ishte ekipi më i mirë në Grupin E dhe më tej komentoi edhe të ardhmen e trajnerit Silvinjo.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tregoi diçka më shumë për miqësoret e marsit që do të zhvilloj ekipi Kombëtar dhe për premion e kualifikimit që do të marrin lojtarët dhe stafi.

Dy herë në Europian & kualifikimi më i bukur – “Çdo sukses është i bukur dhe ai ishte një sukses më vete aq më shumë që ishte për herë të parë në historinë e Shqipërisë, për mënyrën se si rrodhën gjërat mbase ka patur më shumë emocione, më shumë ankth deri në ditën e fundit në kualifikimin e 2016 sepse kemi pritur ndeshjen e fundit, kemi pritur vendimin e Kas-it fillimisht, në tre shkallë gjykimi deri sa rezultoi pozitiv, pastaj kemi vuajtur vërtetë për të marrë një fitore dhe për të arritur kualifikimin më parë, por nuk e morëm as kundër Serbisë as kundër Portugalisë dhe kualifikimi erdhi vetëm në Armeni. Kishte më shumë ankth, më shumë emocion, gëzimi ishte më i madh sepse për shumëkënd konsiderohej utopi që Shqipëria pretendonte për të shkuar në një Kampionat Europian. Tani futboll më i bukur, rezultate vërtete shumë të bukura kundër kundërshtarëve shumë të fortë si Polonia, Çekia por edhe Moldavia që ishte një konkurrent i fortë që luftoi deri në ditën e fundit në Çeki. Ne kishim më pak ankth sepse e siguruam dhe mendoj që ishim bindës, skuadra më e mirë e grupit, siguruam kualifikimin që në ndeshjen e parafundit në Moldavi dhe në ndeshjen e fundit dukej sikur nuk arritën ndonjë gjë të madhe sepse ky është niveli jonë”.

Një trajner brazilian në krye të Kombëtares – “Asnjëherë nuk e kisha menduar që do të kishim një trajner Brazilian. Nuk është se kemi shumë informacion apo njohuri për trajnerët brazilianë, por duke patur parasysh që kishte luajtur në Europë dhe kur jemi ulur dhe kemi diskutuar në Milano për projektin e “Euro2024”, jo vetëm me Silvinjon por edhe me disa trajnerë të tjerë, me Silvinjon ishte më shumë një takim për etik, që duhej bërë meqë ishte një nga kandidatët sesa bindje që ky mund të ishte trajneri i Shqipërisë. Por në takim me mënyrën se si ai i perceptoi gjërat e përkrahu projektin dhe egoja apo uria e tij për sukses filloi të na bindë, megjithatë nuk është se ishim të sigurt që me këtë zgjedhje do të bëjmë kaq mirë apo do shkojmë në Europian. Tani që ka përfunduar edicioni rezulton që kemi bërë zgjedhjen e duhur, zgjedhjen më të mirë për këtë moment. Ky është objektiv i arritur kur bëmë strategjinë e futbollit. Do shkojmë në Gjermani një kompeticion shumë më i vështirë. Padyshim që futbollistët duhet ta shijojnë, duhen të shijojnë suksesin e tyre, edhe tifozët duhet ta shijojnë Europianin, sepse pa tifozët nuk do të ishim këtu, jemi të gjithë bashkë futbollistët, stafi, FSHF, tifozët, media të gjithë që krijuan vërtetë një atmosferë pozitive, krijuan një besim dhe i shtuan besimi njerëzve, kështu që le ta shijojmë të gjithë bashkë Europianin por nuk do të mjaftohemi me kaq, duam të shkojmë akoma më lart. Duke i njohur vështirësitë, duke i respektuar të gjitha skuadrat që janë atje, objektivi jonë minimal është që të kalojmë grupin dhe pastaj sa më gjatë të rrimë në Gjermani aq më mirë është”.

Detyra si Zv.President i UEFA-s – “Zhvillimi i futbollit, rezultate, ndryshimi i infrastrukturës në vend, serioziteti organizativ i FSHF-së, çfarë ofron vërtetë FSHF në arenën e futbollit Europian, shkojnë paralel edhe me zgjedhjen time si anëtar i Komunitetit Ekzekutiv apo si Zëvendës President i UEFA-s. Është e vështirë nëse ke një disnivel apo nuk ke bërë vërtetë mirë në vendin tënd, të zgjidhesh Zv.President i UEFA-s, gjëja e parë që shohin dhe të vlerësojnë është se çfarë ke bërë në vendin tënd”.

Kontrata e Silvinjos – “Kontrata e Silvinjos përfundon pas përfundimit të Europianit dhe fakti që kemi bërë këtë kontratë që nga fillimi tregon se ka qenë një projekt për të qenë në Europian dhe jo për të ndërprerë kontratën pas ndeshjeve kualifikuese. Padyshim që kemi filluar të mendojmë dhe së shpejti do të bisedojmë me trajnerin. Unë mendoj se ai është i lumtur dhe e ka shijuar vërtetë këtë sukses në Shqipëri. Ai nuk është një trajner që ka bërë shumë herë një sukses të tillë, domethënë si trajner sepse si futbollist ai ka një karrierë shumë të pasur dhe ka fituar dy herë Champions League, por si trajner mendoj që është rezultati më i mirë dhe satisfaksioni më i madh që ka marrë në drejtimin e një skuadre dhe mendoj se do të ketë dëshirë ta vazhdoj këtë lloj rezultati në Shqipëri. Dhe ne duke qenë se kemi arritur këto suksese, pse të mos ja ofrojmë. Përpara se të shkojmë në Gjermani do të duhet ta bisedojmë ose të paktën parimisht të biem dakord për këtë gjë”.

Premiot për ekipin dhe stafin – “Para se të fillojë edicioni ne përcaktojmë objektivin dhe premion për ekipin në rast të realizimit të objektivit. Edhe për kualifikimin në Europian ne e kemi të përcaktuar premion që do të kenë futbollistët. Stafi gjithashtu e ka në kontratë. Nuk është se kemi para tani për t’ua dhënë premiot futbollistëve dhe stafit, por do t’ua japim në momentin që sapo të arkëtojmë ato të ardhura që vijnë nga Europiani. Di të them vetëm një gjë, më shumë sesa 50% apo rreth 50% e shumës që arkëtohet do të jetë për premiot, stafin dhe futbollistëve të ekipit tonë Kombëtar”.

Miqësoret e marsit dhe shorti i 2 dhjetorit – “ Nuk kemi gjë të përcaktuar, por si kandidat për momentin në mars janë ekipi i Perusë për të luajtur në Itali, Norvegjia dhe Sllovakia për të luajtur në Shqipëri. Akoma nuk kemi vendosur asgjë, ishte dhe Belgjika një mundësi për të luajtur në Tiranë, por e mbylli me një skuadër tjetër. Sigurisht ne do të mundohemi që të përcaktojmë ato skuadra që i përshtaten më shumë, ose që i shërbejnë më shumë stafit teknik por edhe që të jenë të një niveli të pëlqyeshëm për spektatorët shqiptarë. Ajo që dëshiroj realisht dhe ka kohë që e dua këtë, edhe pa e siguruar kualifikimin, është që të luajmë në ndeshjen hapëse kundër Gjermanisë. Rezultati nuk arrihet nëse nuk punon shumë, me seriozitet dhe vlerësimin e duhur për ekipin dhe për fanellën. Kanë bërë çdo gjë mirë dhe janë për t’u falënderuar dhe falënderuar shumë. Ne nuk kemi histori suksesi kaq të mëdha, në fusha të tjera jo e jo, por edhe në futboll nuk kemi histori suksesi kaq të mëdha që të shpërdorojmë ndjenjën e kënaqësisë për atë që kemi arritur”, – përfundoi Presidenti Armand Duka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *