Të gjithë shqiptarët i kishin sytë në Spanjë për të pritur një debutim të Manajt te Barcelona. Kjo do të ishte hera e parë që një futbollist shqiptar do të luante me ekipin e parë te katalanasit. Setien e ka grumbulluar në shumë raste në stërvitje, ndërsa do ta merrte edhe në stol ndaj Getafes.
Por sërish në këtë përballje nuk kishte vend për Manajn. Ky i fundit nuk po e gjen veten as në skuadrën e dytë, atje ku ka shënuar vetëm një gol deri tani dhe në atë rast, duke e tundur rrjetën nga 11-metërshi.
E megjithatë Setien e ka grumbulluar Manajn edhe në stërvitjen e fundit që kishte skuadra, përpara se të mbyllej për shkak të emergjencës nga Koronavirusi. Ky pushim i gjatë dhe mbyllja e kampionatit, ia bën të pamundur debutimin këtij lojtari me Barcelonën.
Sipas asaj që raporton prestigjozja spanjolle “AS”, Luis Suarez do të kthehet në fushë në fillim e prillit. Pra do të jetë gati thuajse që për ndeshjen e radhës dhe njëkohësisht për përballjen ndaj Napolit për “Champions League”. Edhe futbolli në Spanjë do të shtyhet për një kohë të gjatë, pasi në këtë vend sapo ka nisur të shpërthejë situata si në Itali dhe është e pamundur që të luhet para prillit.
Duke futur këtu edhe faktin që ardhja e Braithwate do e nxirrte menjëherë Manajn si plan të dytë dhe njëkohësisht faktin që ndeshjet e mbetura do të jenë “jetë a vdekje” për Barcelonën, në luftën e ndezur për “La Liga” dhe “Champions League”, atëherë Manaj është në luftën me të pamundurën, për t’u futur në histori si lojtari i parë shqiptar që luan me katalanasit. /Sport Ekspres/