Nga Klaudio Ndreca
Ashtu siç edhe pritej kur Rei Manaj kaloi te Barcelona për të mbërritur në ekipin B, ka pasur shumë dyshime për zgjedhjen e bërë nga ky sulmues. Madje në shumë raste ishin vetë tifozët shqiptarë që e shihnin të pamundur që futbollisti i Kombëtares të ëndërronte për një vend në ekipin A.
Nuk kaluan shumë ditë dhe trajneri Setien e grumbulloi menjëherë në stërvitje me yjet e tjerë. Kaq mjaftoi që po të njëjtët kritikë të ndiheshin krenar me Rei Manajn, që u shoqërua me shumë stërvitje te Barcelona dhe me kulmin e një ftese për të qenë në stol ndaj Getafes.
Nga ana tjetër nuk ka shumë për t’u mbajtur mend nga ndeshjet e tij te Barcelona B, teksa nuk ka shkuar më tepër sesa një gol i realizuar me 11-metërsh. Në ditën e djeshme ka ardhur edhe një sulm nga një media spanjolle, “Eltriangle”, që ngre dyshime për aftësitë e Manajt.
Atje thuhet se Barcelona shpeshherë nxjerrë më të mirën nga presionet dhe situatat e vështira, por kjo nuk ndodhi fillimisht me rastin e trajnerit të zgjedhur. Setien nuk ishte trajneri i parë për Barcelonën, por largimi i Valverdes ishte më i shpejtë nga çfarë duhej realisht dhe drejtuesit nuk kishin kohë për të sjellë në “Camp Nou” emrat e shumëdëshiruar.
I njëjti krahasim bëhet edhe për Manajn, ndërsa thuhet se për ta sjellë nga Albacete te Barcelona, ka ndërhyrë vetë menaxheri i Quique Setien. Pyetja që shtron media spanjolle konsiston me tezën se përse duhet të investohet tek një lojtar, që dihet se nuk do ta ketë kurrë fatin e tij në ekipin A.
“Barcelona u përforuca me një sulmues nga Albacete, Rei Manaj, 22 vjeç, i cili me siguri që nuk do ta luajë një ndeshje të tërë me ekipin A, sepse i mungon niveli dhe kushtet për t’u rritur. Operacioni për të është bërë me ndërmjetësimin e vetë menaxherit të Quique Setien”, shkruhet mes të tjerash. /Sport Ekspres/