Shumë pritshmëri ka te Shqipëria e Silvinjos, megjithëse ende nuk e kemi parë ndeshjen e parë të këtij trajneri me Kombëtaren. Në këtë linjë mendimi është edhe sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, që pret rezultat pozitiv nga Varshavë. Në një lidhje për “Supersport”, Shulku ka folur edhe në syrin e një ish-futbollisti.
“Shpresoj ta nisim me këmbë të mbarë, atmosfera është pozitive dhe djemtë kanë besim te forca e tyre. Kemi përballë një kundërshtar të fortë por duhet të përfitojmë nga luhatja që ata kanë pësuar pas ndeshjes së parë. Brenda grupit kanë probleme, në syrin tim si ish-futbollist shoh që ka një tjetër besim në grupit tonë dhe shpresoj të mos zhgënjejmë tifozët.
Stafi i ri teknik është në moshë të re dhe janë përshtatur mirë me ekipin, kanë trajtuar lojtarët si shokë, stërvitja ka ndryshuar. Dhe kështu atmosfera ndryshoi dhe djemtë janë shumë entuziastë. Kemi edhe kushtet stërvitore te shtëpia e futbollit, djemtë janë mahnitur. Tapeti i fushës është më i miri në Shqipëri.
Edhe në stërvitje kemi parë gola të bukur shpresoj të mos i kenë konsumuar në stërvitje, por të shohim diçka të bukur edhe në ndeshjen e sotme. Një rezultat i bukur arrihet kur jemi gjithë bashkë, tifozë, media të gjithë faktorët. Kemi edhe dizajnin e ri të fanellës së kombëtares dhe shpresoj të na sjellë fat”, tha Shulku. /Sport Ekspres/