Frank De Boer ruan kujtime të hidhura nga eksperienca e tij fare e shkurtër me Interin. Trajneri holandez qendroi vetëm 3 muaj në krye të pankinës dhe u shkarkua menjëherë nga zikaltrit. Rezultatet mungonin dhe klubi italian vendosi të ndërpriste bashkëpunimin pas vetëm 14 ndeshesh në drejtim të ekipit.
Në një intervistë për “AD.nl“, De Boer sjell sërish në kujtesë këtë aventurë me Interin, ku nuk ngurron të thumbojë zikaltrit. Sipas tij dinamika dhe mënyra se si funksiononte klubi nuk e ndihmoi aspak të bënte mirë në krye të pankinës. Trajneri 50-vjeçar shton se në atë kohë ishte shumë e vështirë për çdo trajner për të marrë rezultatet e duhura.
“Ishte një situatë e veçantë kur arrita te Interi. Ishte një hapësirë e pabesueshme për zvarritje. Me siguri mund të kisha bërë më mirë, të veproja ndryshe, por dinamika e brendshme dhe e jashtme e klubit nuk më ndihmoi aspak, ato i ndërlikuan më tej gjërat. Jam i bindur që vështirë se çdo trajner mund të kishte dalë mirë në atë mjedis në atë kohë. Dhe kjo demonstrohet nga fakti që pas meje ata thirrën tre teknikë, Pioli, Vecchi dhe Spalletti”, ka thënë Frank De Boer./Halit Delibashi-Sport Ekspres/