Në Iran ka degraduar situata pas ngjarjeve të fundit që lidhen me Mahsa Amini. Kjo 22-vjeçare ndërroi jetë pasi nuk kishte respektuar rregullat strikte për mbulimin e kokës. Teksa ishte brenda fugonit të policisë, rr.ahjet e dërguan deri në fatalitet. Ndërkohë Policia e fshehu këtë rast dhe e raportoi si një problem në zemër.
Pavarësisht frikës së madhe nga regjimi aktual në vend, personalite të ndryshme kanë zgjedhur që të rrezikojnë duke dalë hapur kundër me reagimet e tyre. Së fundmi ka reaguar edhe ylli i kombëtares iraniane, sulmuesi i Bayer Leverkusenit, Sardar Azmoun. “Messi iranian”, siç e thërrasin sulmuesin 27-vjeçar në vendlindjen e tij, ka shprehur qartë mbështetjen për femrat me një postim në profilin e tij në Instagram.
“Për shkak të rregullave në kombëtare, nuk lejohet të flasim për asgjë derisa të mbarojnë përgatitjet. Por nuk mund të hesht më. Më e keqja që mund të më ndodhë është se nuk do të më lejojnë të luaj në Botëror. Por kjo është një sakrificë e vogël për çdo flokë të përdredhur të çdo vajze iraniane. Turp për ju që vri.sni njerëz të pafajshëm! Rrofshin gratë iraniane!” shkruan Azmoun, i cili rrezikon të mos luajë në Botëror.
E gjitha kjo situatë ka reflektuar edhe në ndeshjen e fundit të Kombëtares së tyre. Gjatë këndimit të himnit kombëtar të Iranit, futbollistët iranianë ishin dukshëm të dëshpëruar, të trishtuar, mendimet e tyre ishin dukshëm me njerëzit e tyre. Para fillimit të ndeshjes, e gjithë skuadra qëndronte në fushë me xhaketa të zeza të thjeshta mbi uniformat e tyre zyrtare. Ata fshehën stemën e kombëtares iraniane me turp. /Sport Ekspres/