Një vendim krejtësisht i paprecedentë ka ardhur nga Pescara, para ndeshjes që kishin sot me Beneventon. Një ndeshje e humbur 4-0 për ekipin e Memushaj në transfertë, por ajo që tërheq vëmendje ishte fillimi i takimit.
Vetë lojtarët kishin frikë nga Koronavirusi që ka pushtuar Italinë dhe pavarësisht se ishin në stadiumin e boshatisur, te Pescara kishin menduar për një masë shtesë. Futbollistët kanë dalë me maska në fushë, duke kërkuar që të luajnë në këtë mënyrë nga paniku i hapur së fundmi. Por një kërkesë të tillë nuk e ka aprovuar arbitri, pasi në rregullore nuk lejohej një gjë e tillë, ose më saktë nuk ishte parashikuar kurrë më parë se mund të mbërrihej në një situatë të tillë.
Pastaj Ledian Memushaj është një histori më vete në foton kur lojtarët ishin grumbulluar para se të niste ndeshja. Të gjithë lojtarët e Pescara-s e kishin maskën në fytyrë për t’u mbrojtur, ndërsa vetëm mesfushori shqiptar dukej se e kishte vendosur më kot dhe për t’i plotësuar qefin shokëve, pasi me mënyrën sesi po e mbante maskën, ishte sikur të mos ta kishte vendosur fare atë. /Sport Ekspres/