Një episod i veçantë ka ndodhur në kampionatin kinez të futbollit. Viktor Anikebe, sulmuesi i Beijing Enterprises, ka denoncuar klubin e tij në FIFA për fiksim dhe trukim ndeshjesh. 30-vjeçari nigerian, i cili kaloi në tetor të vitit të kaluar në Kinë, pretendon që trajneri t’i ketë thënë në të paktën dy raste: “Mos u lodh”, ndërsa shokët e ekipit i janë shprehur: “Kjo është Kina. Ne bëjmë ashtu siç na thonë”.
Ish-sulmuesi i Evertonit, Uest Bromuiç Albion dhe Sanderlendit ka kërkuar këshilla ligjore për t’u marrë me rastin e tij. Avokati sportiv me bazë në Mançester, Kris Farnell, i raportoi në emër të sulmuesit drejtorit të përgjithshëm të klubit, në të paktën dy raste, por apeli i tij për veprim është injoruar në dy raste.
Anikebe nuk ka refuzuar të luajë me Beijing, por polemika i ka kushtuar një vit karrierë dhe kjo gjë i kushtoi mungesën me Nigerinë në Botërorin e Rusisë. Ai ka kryer denoncimin e klubit të tij dhe shpreson që FIFA të marrë veprimet e duhura.
Futbolli kinez është dëmtuar nga akuzat për trukim ndeshjesh në të kaluarën. Shangai Shenhuas iu hoq titulli i fituar në vitin 2003, ndërsa në vitin 2013, Federata Kineze e Futbollit gjobiti 12 klube me nga 103 mijë euro dhe përjashtoi 58 zyrtarë klubesh, futbollistë dhe gjyqtarë për trukim ndeshjesh dhe ryshfet, pas një hetimi 3-vjeçar.