E quan kompaninë mediatike shqiptare si subjekt të huaj, Kosova përjashton “Digitalb” nga tenderi

Kompania mediatike “Digitalb” kishte që prej vitit 2012 që mori në transmetim edhe kampionatin e Kosovës, një periudhë shumë e vështirë dhe kur futbolli në trevën shqiptarë lëngonte. Padyshim që paraqitja me një imazh më të mirë të këtij sporti ka ndihmuar së tepërmi edhe përmirësimin e nivelit në të gjithat aspektet, për të mbërritur në kohët e sotme, ku ndryshimet janë të dukshme.

Teksa shihnin ndeshjet që luheshin në Kosovë nëpërmjet televiziorit, edhe drejtorët e ekipeve shqiptare e kishin më të lehtë për të pikasur futbollistët që mund të luanin në Superiore, duke shmangur udhëtimet në disa raste. Por gjërat ka ndryshuar dhe së fundmi FFK nuk lejon subjektet e huaja në tender për të marrë të drejtën e transmetimit për kampionatin, duke e futur edhe “Digitalb” mes tyre. Kompania mediatike shqiptare ka bërë një reagim rreth këtij vendimi duke e quajtur të papranueshme:

“Ishte viti 2012 kur platforma e të gjithë shqiptarëve, DigitAlb, vendosi të merrte në gjirin e saj Superligën e Kosovës në futboll, sepse ishte një detyrë që i takonte për të kontribuar në ngritjen e imazhit të një lige, që deri në atë kohë kishte lënë për të dëshiruar në mënyrën e transmetimit të ndeshjeve. Opinioni sportdashës dhe klubet e futbollit në Kosove e pritën shumë mirë këtë vendim, sepse më në fund një kompani mediatike serioze do të paguante para për të drejtat televizive të një Lige që ende nuk njihej nga UEFA dhe nga e cila do të përfitonin edhe klubet.

Përtej kësaj, DigitAlbi transmetoi në mënyrë profesionale ndeshjet më interesante të Superligës që nga viti 2012, me një emision javor (Koha Shtese) të dedikuar ekskluzivisht për futbollin kosovar, duke ngritur nivelin vit pas viti. Me transmetimet e Digitalb, futbolli kosovar u promovua edhe përtej kufijve mbarëshqiptarë. Për vite të tëra, nëpërmjet transmetimit të SuperSport, futbollistët kosovarë u ndoqën nga menaxherë dhe trajnerë të ndryshëm nga jashtë vendit, duke u transferuar në një ligë më të fortë, kryesisht ajo e Shqipërisë.

Pas sezonit të parë të transmetimit, plot 40 futbollistë nga Kosova ishin transferuar në Superligën Shqiptare. Në shumë raste, Shqipëria ishte si trampolinë për të dalë në arenën ndërkombëtare, siç ishte rasti i Amir Rrahmanit. Sot, ish-anëtari i Drenicës dhe Partizanit është transferuar te Napoli në Serinë A. Duke mos harruar që nëpërmjet ekranit të SuperSport, u pa edhe talenti i Milot Rashicës, i cili më pas do të transferohej në Vitesse dhe Ëerder Bremeni, ndërsa është në kërkim të një skuadre që luan ne Ligën e Kampionëve.

DigitAlb ka kontribuar financiarisht në blerjen e të drejtave të Përfaqësueses se Kosovës në momentet më të vështir të Federatës së Futbollit, kur kjo e fundit nuk ishte e pranuar në UEFA. Madje, duke u dhënë rëndësi të madhe Kupës dhe Superkupës, pasi për 8 vite, DigitAlb ishte e vetmja kompani që është ofruar për sponsorizim të këtyre eventeve, me ç’rast janë promovuar edhe lojtarët e ligave më të ulëta në Kosovë.

SuperSport kishte ndikuar edhe në “edukimin” e futbollit tonë. Ishte i vrazhdë, me futbollistë që kacafyteshin në fushë apo dhe me gjyqtarë që sulmoheshin në shumë raste. Duke parë nivelin e lartë të transmetimit me shumë kamera e duke u vënë në pah secili detaj, këto gjëra u zhdukën thuajse tërësisht. Vit pas viti, niveli i transmetimit po rritej bashkë me të edhe futbolli i Kosovës. Në ndeshjet finale të Kupës, sikurse edhe ato ku vendosej titulli, SuperSport transmetonte edhe me 10 kamera dhe të mbuluara me emisione speciale para dhe pas ndeshjeve.

Se sa shumë e ka vlerësuar DigitAlbi Superligën e Kosovës u dëshmua edhe para tri viteve, kur në tenderin për të drejtat televizive kishte ofruar dyfishin e shumës nga sa kishte ofertuar kompania tjetër rivale. Me promovimin e Superligës së Kosovës dhe me angazhimin e klubeve, sidomos pas pranimit në UEFA, tashme 8 vite më vonë gjërat kanë ndryshuar. Superliga e Kosovës viteve të fundit është bërë e pëlqyeshme dhe tendenca e  transferimeve ka ndryshuar. Shumë futbollistë dhe trajnerë cilësorë kanë ardhur nga Shqipëria për të punuar në Superligën e Kosovës dhe kjo falë promovimit të madh që i është bërë vit pas viti.

Ndërsa tani, 8 vite më vonë, Federata e Futbollit të Kosovës tenton të përjashtojë nga pjesëmarrja në tender subjektet e huaja, madje edhe operatorët rajonalë kombëtarë nga Shqipëria, që është shkelje e paprecedentë, kur dihet se qëllimi i tenderit është  përfitimi sa më i madh i vlerës financiare nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Klubeve të Superligës, në të njëjtën kohë edhe cilësia maksimale e transmetimit në përcjelljen televizive të eventit. Te dy keto objektiva kompromentohen rëndë nga kufizimi i pjesëmarrjes në tender, duke u shkelur të gjitha kriteret dhe ligjet e konkurrencës së lirë.

Në mënyrë të dyshimtë, përjashtohet pjesëmarrja e operatorit televiziv historik DigitAlb, operator i cili lançoi për herë të parë transmetimet e Superliges së Kosovës dhe ka paguar më shumë se çdo palë tjetër e interesuar për këto të drejta. Për më tepër, afati nga njoftimi për tender deri në dorëzimin e ofertave është vetëm 5 ditë pune, çka bën të pamundur hartimin e ofertave serioze. Kjo bie ndesh me çdo procedure prokurimi.

Asnjë federatë futbolli në botë nuk vendos kufizime të tilla kur bëhet fjalë për të drejtat televizive. FFK po tenton të përjashtojë nga tenderimi partnerin më besnik medial që ka pasur për vite me radhë, ndërsa t’i mohojë publikut që të ndjek ndeshjet e futbollit të Kosovës në DigitAlb, platformën më të dashur për të gjithë shqiptarët”, shkruhet në reagim. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *