E pyesin për ndeshjet me kuqezinjtë si lojtar, trajneri i Ukrainës: Nuk kanë të krahasuar me klasin që po tregon tani Shqipëria

Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 20:45, ndeshjen e fundit në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë do të presin Ukrainën në “Air Albania”. Trajneri i ukrainasve është paraqitur sot në konferencë për shtyp, ku është pyetur në lidhje me ndeshjet që ka zhvilluar si lojtar kundër Shqipërisë. Rebrovi ka deklaruar se ndryshimi te kuqezinjtë është i madh, pasi tashmë lojtarët shqiptarë luajnë në kampionatet më të forta të Europës.

“Ndeshjet me Kombëtaren shqiptare në vitin 1998? Mbaj mend çdo ndeshje për Kombëtaren, por, për fat të keq, nuk i mbaj mend këta gola. Tashmë Kombëtarja e Shqipërisë ka ndryshuar shumë. Shumë lojtarë nga Seria A, kampionatet më të mira. Është e vështirë të krahasosh këto ndeshje dhe çfarë klasi po tregon aktualisht kombëtarja shqiptare. Ajo arriti në Kampionatin Europian, ku performoi mirë”, ka deklaruar Sergej Rebrov./Sport Ekspres/