“E premtova që deri në datën 22 do e kalonim edhe një ekip”, Memelli i shqetësuar ndaj Dinamos: Dëmtimet i bëjnë trajnerët me dhimbje koke

Në momentin kur Skënderbeu u ringjit sërish në renditje dhe kaloi Egnatian, Memelli do të jepte një premtim: “Mbajeni mend, para datës 22, do të kalojmë edhe një ekip tjetër që do të shpallej kampion”. Shigjetat ishin hedhur për Dinamon dhe në datën 18 dhjetor, korçarët kanë arritur që t’i kapin kryeqytetasit duke mbajtur të dyja 14 pikë. Ndeshja e ardhshme do të jetë pikërisht mes Dinamos dhe Skënderbeut, me gjakrat që do të jenë jo pak të ndezura. Në ditën e sotme Skënderbeu ia doli që të fitonte me shifrat 1-0 me Kastriotin.

Fillimisht ishte Mensah që dërgoi topin në rrjetë, i përhershmi që po merr me vete korçarët për t’i ndihmuar në grumbullimin e pikëve. Skënderbeu lëshoi jo pak terren pas golit të shënuar dhe Greca i ndëshkoi në minutën e 40. Për të rikthyer festën te korçarët mendoi Meksi që me goditjen nga distanca, mposhti portierin e Kastriotit. Në këtë takim kanë mbizotëruar nervat dhe përplasjet mes lojtarëve, me kushtet klimatike që nuk ishin më të favorshmet për të luajtur futboll. Në fund Kastrioti merr një humbje që shuan jo pak shpresat për vazhdimësinë e saj në elitë. Pas mbylljes së ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.

Memelli (Skënderbeu): “E filluam mirë. Donim të bënim ato që paracaktojmë gjatë seancave stërvitore. Ajo që nuk më pëlqeu sot ishte lënia e hapësirës së terrenit që mori Kastrioti te goli i barazimit. Kemi lënë mbrapa një kundërshtar direkt. Kemi marrë tre pikë të vlefshme për të shkuar ditën e mërkurë në kryeqytet ndaj Dinamos. Jam shumë i shqetësuar pasi kishim dëmtim sot të Sadriut. Kam shumë pak alternativa në pankinë. Ndërruam sistem loje. Sot kemi ndërruar 3 herë sistemin e lojës. Morëm tre pikët por me një disfavor të madh me gjithë ato dëmtime që kemi.

Premtova që deri në datën 22 me Dinamon do kalonim edhe një ekip më lart. Të gjitha kët dëmtime janë një minus i madh për ne. Shumë pak alternativa e bëjnë trajnerin me dhimbje koke, pavarësisht kush është ai. Të mos harrojmë që në këtë pikë në sezonin e kaluar Skënderbeu kishte shumë më pak pikë. Si të gjithë kolegët e Superiores kemi një plan B, C apo D. Strategjia që do shkojmë në ndeshjen me Dinamon nuk do jetë e njëjtë si me Kastriotin. Është një ndeshje tjetër, me një kundërshtar më të fortë”.

Ndreu (Kastrioti): “E kam thënë dhe herë të tjera, jemi skuadër që lëvizim me 12-13 lojtarë. Është shumë problem. Është shumë e tmerrshme se si pësojmë një gol të tillë. Do kohë të marrësh veten kur merr gol. Ka lojtarë që i duket vetja sikur po luajnë kalçeto, është e tmerrshme. Nuk e kuptojnë që në çdo pozicion duhet të zbatojnë detyrat. Më habisin edhe këta arbitrat. Në momentin që vjen lojtari dhe i ndërhyn pa top duhet të ndëshkohet me karton të verdhë. Këta hapin sytë sikur duan të mbarojnë ndeshjen sa më shpejt. U largua një kundërshtar direkt? Këtë javë largohen, javën tjetër afrohet. Këtë punë kemi ne.

Skënderbeu ti falet dy sulmuesve. E kisha bërë të ditur që ti kemi kujdes ata dy lojtarë, sepse janë shumë të shpejtë. Po të kthehem edhe njëherë pas, është problem i madh të luajë skuadra pa qendërmbrojtësa. Elementi i parë për një qendërmbrojtës duhet gjatësia. Marr gola edhe në lartësi të ulët. Është pozicioni më delikat i skaudrës. Për sa i përket distancës ne nuk dorëzohemi kurrë. Kur matematika të thojë mbaroi, atëherë do dorëzohemi. Klasifikimi është real. Ne do hahemi me skuadrat e fundit, mos ti përmend me emra por e dimë kush janë“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *