Salernitana nuk është në formën më të mirë së fundmi, sepse ky klub nuk ka fituar që nga 30 tetori, kur tronditi Lazion jashtë shtëpisë dhe fitoi 3-1.
Pas rifillimit të sezonit, Salernitana luajti tre ndeshje në Serinë A, por arriti të fitonte vetëm një pikë.
Në fundjavë, kjo skuadër përjetoi një turpërim të vërtetë në Bergamo pasi Atalanta e mposhti me rezultatin 8-2 dhe menjëherë pas kësaj drejtuesit e klubit vendosën të reagojnë dhe të hënën njoftuan se Davide Nicola nuk është më trajner i Salernitanës.
Në Salerno po punojnë fort për të gjetur një trajner të ri dhe kanë biseduar me disa kandidatë, të cilët nuk kanë rënë dakord me atë që Salernitana u ka ofruar.
Mirëpo, mëngjesin e sotëm mediat në Itali i habitën të gjithë me informacionin se Salernitana po përgatit një lëvizje të pabesueshme vetëm dy ditë pasi Nicola u shkarkua.
La Gazzetta dello Sport njoftoi se klubit i vjen keq që Nicola u shkarkua sepse nuk e prisnin që do të ishte kaq e vështirë për të gjetur një zëvendësues për të dhe ata janë të gatshëm të bisedojnë përsëri me të në mënyrë që ai të mund të drejtojë përsëri ekipin.
Drejtuesit e Salernitanës duan që Nicola të rikthehet dhe të drejtojë skuadrën deri në fund të këtij sezoni, gjë që është vërtet e pabesueshme, sepse e kanë shkarkuar të njëjtin person vetëm dy ditë më parë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/