Nga Klaudio Ndreca
Prishtina ishte ekipi tjetër në Kosovë që e vuajti së tepërmi pandeminë me daljen nga Europa, teksa humbi në tavolinë në shifrat 3-0. Pasi dolën shumë pjesëtarë të ekipit pozitiv, UEFA i dha edhe një shans të dytë skuadrën shqiptare që të vinte për të luajtur ndaj Lincoln me një tjetër përbërje.
Ashtu edhe ndodhi teksa Prishtina mori futbollistë nga disa ekipe në Kosovë dhe shkoi sërish për të luajtur. Rezultatet e reja të testimeve të bëra sa i përket Koronavirusit ishin ato që të gjithë kishin frikë, teksa u regjistruan 8 raste pozitive nga ana e Prishtinës.
Këta të fundit kishin marrë 20 lojtarë me vete dhe u mbeteshin vetëm 12, ndërsa me rregulloren e UEFA-s duhet të ketë të paktën 13 lojtar një ekip që të mundet të zhvillojë një takim. Por çuditë nuk kanë fund pasi Prishtina raporton se po këta futbollistë që rezultuan pozitiv janë testuar edhe njëherë së fundmi në Kosovë, atje ku kanë marrë sërish përgjigje se janë negativ.
Pra si përpara nisjes së tyre dhe në këtë rast të dytë, ka një përputhje të rezultateve në Kosovë. Kjo të dërgon në dy versione të cilat janë një dështim i punës në lidhje me gjetjen e rasteve të Koronavirusit në Kosovë që kushton jetë fillimisht pastaj edhe largimin e ekipeve të futbollit nga Europa ose një dinakëri të vendeve ku luajnë nga ekipet shqiptare, për t’u kualifikuar në tavolinë. /Sport Ekspres/