SV Spakenburg është befasia e madhe që vjen nga Holanda. Kjo skuadër amatore ka arritur në gjysmëfinalen e Kupës dhe ndodhet së bashku me Ajax, PSV dhe Feynord. Në ndeshjen e fundit, Spakenburg arriti të fitonte me shifrat 4-1 ndaj Ultrech.
Teksa pritet që të hidhet shorti i gjysmëfinales së Kupës, të gjithë dëshirojnë një përballje me Spakenburg, pavarësisht çmendurisë së realizuar prej tyre. Kjo është hera e tretë në historinë e Kupës së Holandës që një ekip amator kalon në gjysmëfinale. Më parë, vetëm IJsselmeervogles në 1975 dhe VVSB në 2016 e arritën këtë.
SV Spakenburg do të ketë një mundësi historike për t’u bërë klubi i parë amator në histori që arrin në finale. Por edhe nëse ia dalin, nuk do të luajnë në finale për shkak të bindjeve fetare. Klubi i themeluar në vitin 1931 ka një identitet ortodoks dhe bazohet në mesazhet biblike. Për këtë arsye nuk luajnë kurrë ndeshje të dielave dhe finalja e Kupës është caktuar të dielën e 30 prillit.
Tradicionalisht, ndeshja finale e Kupës së Holandës luhet gjithmonë të dielën. Mirëpo, së fundmi në shoqatën holandeze ka pasur diskutime për datën e ndeshjes. Thuhet se ndeshja, nëse SV Spakenburg kalon në finale, do të luhet të shtunën më 29 prill. Në rast se kjo skuadër do të shkojë realisht në finale, gjë që do të ishte një mrekulli, diskutimi do të vazhdojë, por ata sigurojnë se nuk do të pranojnë të luajnë të dielave.
“Nëse beson në veten tënde dhe me vullnetin e Zotit, mund të bësh gjithçka,” tha trajneri Chris de Graaf me zë të lartë menjëherë pasi arriti në gjysmëfinale.
“Kam filluar të luaj këtu si një djalë pesë vjeçar dhe tani kemi arritur në gjysmëfinale të Kupës së Holandës. Është e mrekullueshme. Unë po i shikoj të gjithë këta njerëz, është e mrekullueshme. Ne do ta fitojmë këtë kupë”, shtoi trajneri ambicioz. /Sport Ekspres/