Reja ka skicuar formacionin e Shqipërisë ndaj San Marinos, por deri në momentet e fundit ka pasur dyshime për zgjedhjen e sulmit. Vetëm Myrto Uzuni është konfirmuar pas performancës fantastike që zhvilloi me Hungarinë. Rei Manaj apo Armando Broja, kush do të jetë në krahë të sulmuesit të Ferencvarosh?
Dyshimet lidhet me faktin se futbollistët në fjalë kanë pak natyrë të ndryshme. Armando Broja ishte heroi i fitores në ndeshjen me Hungarinë, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë edhe San Marino-Shqipëri. Në atë përballje Broja e nisi si titullar dhe nuk arriti dot për asnjë moment që të ishte i rrezikshëm në portën kundërshtare.
Për të parë golin e parë duhej të prisnim minutën e 63 kur Rei Manaj tundi rrjetën me asistin e Uzunit. Gjithçka lidhet me faktin se Broja kërkon hapësirë në fushë që të demostrojë vlerat e tij, në të kundërt “asfiksohet”. Gola të shumtë realizoi me Vitesse, por në një kampionat ku luhet futboll i hapur dhe nuk i kushtojnë shumë rëndësi pjesës së sulmit.
E njëjta situatë rezultoi edhe me Hungarinë, ku Broja ishte për herë të parë heroi i Shqipërisë, por në një moment që hungarezët kishin lënë mjaftueshëm hapësira që sulmuesi shqiptar të niste vallëzimin me topin pasi kërkonin fitoren. Në ndeshjen e parë ndaj San Marinos dyshja e sulmit ishte Armando Broja-Rei Manaj. Ndërsa këtë herë pritet që Rei Manaj të punojë me Uzunin për të tundur rrjetën që në pjesën e parë, në mënyrë që Broja të gjejë një rreshtim jo edhe shumë të organizuar të San Marinos në mbrojtje, që të shënojë gola të tjerë me Kombëtaren. /Sport Ekspres/