“E ndiej, Silvinjo është trajneri i duhur për Shqipërinë”! Altin Lala: Lojtarët e Kombëtares që nuk e dinë gjuhën shqipe, të bëjnë një kurs për ta mësuar

Altin Lala ka besim se Shqipëria do të shkojë larg me trajnerin Silvinjo. Legjenda e Kombëtares ka ndjesinë se kuqezinjtë mund të shkruajnë faqe të historisë së tyre me brazilianin në krye. I ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, Altin Lala dha mendimet e tij para ndeshjes me Poloninë.

“Jam shumë kureshtar sesi Shqipëria do ta nisi këtë edicion. Pritshmëria është e lartë, nga stafi dhe nga tifozët. Të gjithë presim diçka ndryshe, kam shpresë se Silvinjo po e ndryshon Shqipërinë.  Nuk e di pse e kam besimin se Silvinjo do të arrijë diçka.

Në kohën time kur isha te Kombëtarja të gjithë flisnim shqip, pasi të paktët ishin ata që vinin nga jashtë. Disiplina dhe grupi është çelësi i suksesit, kështu arritëm në Europian edhe me De Biazin. Kush ka mungesë në gjuhën shqipe, duhet ta përmirësojë, nuk negociohet. Kush nuk e di mirë gjuhën shqipe, ta përmirësojë kur të vijë te Kombëtarja, të bëj ndonjë kurs te Federata se aty kushtet janë fantastike (qesh).

Kushtet dhe mundësitë janë shumë të mira. Në futboll është shumë e rëndësishme psikologjia. Unë Silvinjon e mbaj mend si lojtar, ka qenë lojtar skuadre. Te Shqipëria kjo duhet të jetë kryesorja dhe mbi të gjitha. Unë kam ndjenjën time, ndiej se ky është trajneri i duhur për Shqipërinë. Nga informacionet që unë kam, Silvinjo ka arritur në tematikat dhe problemet e lojtarëve në një kohë fare të shkurtër”, tha Altin Lala. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *