Mauricio Sarri studion lëvizjet e të ardhmes post-Napoli. Opsionet janë dy: Çelsi dhe Zenit Shën Pjetërburgu. E para është pista më e nxehtë dhe e dëshmojnë dy tregues: biseda gjatë ditës së djeshme mes agjentit të trajnerit, Pelegrini, dhe krahut të djathtë të Roman Abramoviçit, Marina Granovskaia. Padroni “blues” është duke u menduar gjatë, pasi nëse shkarkon Antonio Konten duhet të paguajë 10 mln eurot në sezon, teksa duhet edhe të sigurojë Sarrin duke paguar klauzolën për ta tërhequr nga Napoli, një kosto 8 mln euro. Madje, sipas “Daily Express”, mendohet dhe se mund të ketë një “pagim” me kartonin e David Luizit, sigurisht pa rrogën që merr në Londër, te Napoli.
Ndërkohë, pas emërimit dhe spektaklit të dhuruar nga presidenti De Laurentis me Karlo Ançelotin, mësohet se Sarri ka ndezur tv dhe aty ka parë mesazhin e presidentit që zyrtarisht e shkarkonte: “Nuk e meritoja që të likuidohesha në këtë mënyrë, në tre vjet kam vënë në fushë çdo gjë”, i ka thënë miqve të tij. Deri kur dikush të paguajë klauzolën prej 8 mln eurosh, fati i Sarrit është “peng” i De Laurentisit, që ose e liron duke paguar penale prej 500 mijë eurosh, ose mund ta mbajë 1 vit deri në skadim kontrate.