“E morëm lehtë me Kilin në 15 minutat e para, tani do jemi serioz”! Ylber Ramadani i sinqertë: Edhe po ngela pa ftesë në Europian, do i mbështes djemtë nga jashtë

Silvinjo doli në konferencë për shtyp para ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë kundër Suedisë. Trajneri kërkoi nga lojtarët që të lënë pas krahëve atë që ndodhi kundër Kilit dhe të kërkojnë suksesin ndaj Suedisë.

“Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe tani kishim dy miqësore, që të përgatitemi sa më mirë për Europianin. Sigurisht që është e paevitueshme që lojtarët të mendojnë për listën e Europianin. Ne punojmë të gjithë bashkë. Suedinë e kërkonim me patjetër në miqësore, kur po vinim këtu në konferencë po shikonim fotot e Suedisë në stadium, me Larson, Ibrahimovic, cfarë historie brilante.

Nesër duhet të jemi gati që të përballojmë një ekip të nivelit të lartë dhe lojtarët i kam parë të motivuar. Nesër mund të kemi ndryshime në formacion. Nuk duhet të harrojmë se lojtarët e ekipit tonë kanë vetëm 10 ndeshje me njëri-tjetrin, nuk kanë nga 4-5 vite. Ne me Kilin humbëm 0-3, futbolli ky është, nuk mendoj se ishte rezultat i drejtë. Atë humbje duhet ta lëmë pas krahëve, por duhet të theksojmë se Shqipëria ka një nga mbrojtjet më të mira të Europës, këtë e thonë shifrat. E nëse pastaj pësojmë tre gola, nuk e ka fajin mbrojtja, por gjithë ekipi”, tha Silvinjo.

Nga ana tjetër në konferencë për shtyp gjendej edhe Ylber Ramadani i cili u shpreh: “Ndeshja me Kilin na shërbeu për t’u ulur me këmbë në tokë dhe për të qenë më serioz. Megjithatë atmosfera është fantastike në grup, jemi shumë të bashkuar dhe do të bëjmë maksimumin nesër kundër Suedisë.

Duhet të ndryshojmë qasjen nesër, ta marrim nga minuta e parë seriozisht ndeshjen dhe mos ta marrim lehtë. Në 15 minutat e para e morëm lehtë ndeshjen me Kilin, por kjo nuk do të ndodhi nesër. Edhe nëse nuk do të jem në Europian, unë do të jem në mbështetje të djemëve”, tha Ramadani. /Sport Ekspres/