Franko Lerda është kthyer në mediat italiane pas shumë kohë qetësie. Në Shqipëri erdhi si një emër i njohur në futbollin italian dhe i tillë u prezantua para opinionit sportiv, por largimi i tij nuk do të shkaktonte aspak jehonë.
Asnjë artikull në Itali mbi largimin që iu bë nga Partizani këtij trajneri. Pra asnjë interesim rreth Lerdës, pavarësisht se me mënyrën sesi vetë tekniku fliste në konferenca, tregonte gjithë vlerësimin e lartë që kishte për veten e tij. Pas shumë kohësh Lerda jep një opinion për ndeshjet pa tifozë që do të luhen për shkak të Koronavirusit. “Tuttobari” e përcakton si një trajner që e njeh shumë mirë Serinë C, megjithëse mendimet e dhëna për temën në fjalë, janë lehtësisht të kuptueshme për të gjithë.
“Ndeshjet pa tifozë? Është një vendim që do ndikojë shumë te Bari dhe Reggina duke marrë parasysh faktin që në Serinë C, nuk ka skuadra të tilla që ndiqeshin më para nga shumë tifozë. Diferenca mes këtyre dy skuadra? Po Reggina është 7 pikë para Barit dhe nuk janë pak kaq. Bari po shkon mirë, por rivali i tyre po bën edhe më mirë. Të dyja e meritojnë që të shkojnë në Serinë B, por fatkeqësisht njëra prej tyre do të futet në “Play-Off”, ka thënë Lerda. /Sport Ekspres/