Presidenti i FSHF-së rrëfehet për gazetarët. Nga Selia e federatës flet për çështjen e bojkotit nga tifozeria e organizuar
Një ndër pyetjet e tryezës së përbashkët me gazetarët nga Armand Duka ishte në lidhje me tifozerinë kuqezi, pra atë të organizuar, TKZ, që vazhdon prej muajsh bojkotin në stadium, brenda fushës, për shkak të kontrollit policor të shfrenuar në ndeshjet brenda, nisur nga ajo që ndodhi në Shqipëri-Izrael në “Elbasan Arena”. Pyetja që iu shtrua ishte: çështja e tifozëve po bëhet problematike. Stadiumi po kthehet në teatër dhe nuk ka përkrahje të zjarrtë për ekipin… Si mendoni? “Prania e tifozëve në stadium ka qenë e mirë. Sesa aktivë janë ata, kjo duhet të diskutohet.
Problemi ynë është bojkoti i ndeshjeve në shtëpi nga grupimi më i rëndësishëm i kombëtares “Tifozat Kuq e Zi”. Lexova diku që jemi të mërzitur sepse u kontrolluam shumë në Shkodër. Këto arsye nuk janë në kompetencë të federatës. Nuk dua të shfajësoj Policinë sepse ata bëjnë punën e tyre, për rendin dhe sigurinë në stadium. Diku tejkalohen kompetencat.
Gjithsesi, ne jemi për ekipin. Ashtu siç janë edhe tifozët. Edhe këta të fundit duhet të tejkalojnë ndonjë problem dhe këtë e kam për “Tifozat Kuq e Zi” që e bojkotojnë jashtë dhe nuk e mbështesin në Shqipëri për mostrajtim të mirë nga policia. Mund të kenë të drejtë, por nuk duhet ta bojkotosh se dëmton qëllimin e të gjithëve ekipin kombëtar. Uroj që bojkoti të përfundojë. Edhe policia dhe ndonjë faktor tjetër të jenë më luajal dhe të ndryshojë punën për të nisur ndryshe edicionin e ardhshëm.