Kumbulla është ende duke u riaftësuar pas aij dëmtimi të pësuar dhe po lufton me kohën për tu rikthyer sërish në ndeshjen ndaj Fiorentinës, megjithëse është shprehur se nuk e di a do tëj etë në gjendje të jetë i gatshëm që në përballjen ndaj violëve. Ndërkohë, mbrojtësi kuqezi ka qenë në qendër të vëmendjes në Itali, teksa projektohet si një lojtar që mund të shërbejë shumë për mbrojtjen e gjigantëve të Juventusit, të cilët e kanë vendour në lupën e tyre.
Por këto fjalë dhe ky interesim i “Zonjës së Vjetër” nuk e bëjnë aspak të ëndërrojë futbollistin e talentuar shqiptar, që për momentin mendon vetëm për të tashmen e tij, Veronën, megjithëse në një farë mënyre ndjen kënaqësi që pas tij është vënë një skuadër si Juventusi.
“Jam duke punuar shumë me veten dhe pak me të tjerët dhe nuk e di nëse do ia dal. Do të shohim gjendjen dhe në fund do të jetë trajneri ai që do të vendosë. Më duhet të provoj të rikthehem sa më shpejt. Shpresoj që përmes terapive dhe stërvitjes të rikuperohem.
Për momentin më mjafton të vazhdoj të luaj me Veronën dhe të rritem. Është një skuadër që e dua, pasi më kanë marrë që të vogël për të mbërritur më pas këtu mes profesionistëve. Më bëhet qejfi për interesin e Juventusit. Megjithatë nuk i lexoj këto lajme dhe nuk ëndërroj për gjëra të tilla. Prindërit e mi më kanë mësuar që të qendrojë me këmbë në tokë. Nëse më flisni për Juventusin, mund tju them vetëm se lojtari më i fortë me të cilin jam përballur deri tani në Serie A është Dibala”, ka thënë Marash Kumbulla./Sport Ekspres/