“E kërkoi Milani dhe Juventusi”, Reja tregon interesimet e bujshme për Etrit Berishën: Meriton Serinë A

Etrit Berisha ishte titullar për Shqipërinë në tre ndeshjet e fundit që ka zhvilluar Kombëtarja e Shqipërisë, ndërsa Strakosha nuk ishte i grumbulluar pasi rezultoi pozitiv me Koronavirus. Për këtë arsye porta u mbrojt nga ana e gardianit të SPAL, që si makthin më të keq do të ketë golin e pësuar nga mesfusha ndaj Kazakistanit.

Gjithsesi trajneri i Shqipërisë, Reja, ka një vlerësim të madh për Berishën. Ky i fundit ka treguar performanca fantastike edhe në Serinë B me SPAL, ndërsa edhe vetë mediat italiane shkruajnë se meriton Serinë A. Situata e Koronavirusit ia ka bërë të pamundur lëvizjen portierit shqiptar në ditët e fundit të merkatos, për të qëndruar te SPAL deri në janar. Ndërkohë Reja ka zbuluar për “Ilrestodelcarlino” edhe dy interesimet e bujshme sa i përket portierit të Kombëtares.

“Ju e keni parë Shqipërinë. Berisha është një futbollist që e duan shumë dhe unë gjithmonë e kam alternuar me Strakoshën, por së fundmi portieri i Lacios u infektua dhe prandaj ishte Berisha që zhvilloi tre ndeshjet. Gjithsesi ne kemi fituar me Bjellorusinë dhe Shqipëria kaloi nga Liga C në Ligën B. Kjo do të thotë se ne do të përballemi me Kombëtare ëndrrash si Gjermania ose Spanja.

Berisha është një profesionist perfekt. Spal ka bërë një super goditje duke e marrë në skuadër. Por Berisha meriton Serinë A dhe gjithashtu ka pasur negociata me Juventusin dhe Milanin. Në fundin e merkatos ishte edhe Spezia që e kërkoi, por në këtë situatë të vështirë nuk u materializua asgjë”, u shpreh Reja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *