E kërkoi edhe Maqedonia/ Jasir Asani refuzon ftesën e Shqipërisë, zbulohet arsyeja e mungesës

Shqipëria ka programuar një miqësore në 26 tetor me Arabinë Saudite, që vlen më tepër për lojtarët e kampionatit shqiptar dhe “të harruarit” në Europë.

Për shkak se kjo përballje luhet jashtë datave të lira nga FIFA, këtë herë nuk do të kemi “yjet” e zakonshëm. Mes emrave të rinj që u thërritën për këtë takim miqësor ishte edhe Jasir Asani.

Sulmuesi 28-vjeçar luan me ekipin e Kisvarda në Hungari dhe në këtë sezon ka 11 paraqitje, por nuk ka arritur ende që të shënojë në kampionat.

“Sport Time” zbulon ekskluzivisht se lojtari e ka refuzuar ftesën e Shqipërisë për takimin miqësor me Arabinë Saudite, pasi nuk është lejuar nga klubi i tij Kisvarda që t’i bashkohet kuqezinjëve.

Klubi hungarez dëshiron shërbimet e Jasirit për ndeshjet e kampionatit që bien ndesh me përballjen ndaj Arabisë.

Në sezonin e shkuar Asani realizoi 6 gola dhe bindi drejtuesit e klubit me aftësitë e tij.

Ndërkohë vlen të theksohet se për këtë element ka pasur kontakte edhe nga Maqedonia e Veriut, që të përfaqësojë këtë fanellë.

Kjo miqësore është një mundësi fantastike për protagonistët e Superiores dhe futbollistët e tjerë në Europë që nuk kanë pasur vëmendjen e Kombëtares në takimet e tjera, që të thonë fjalën e tyre me fanellën kuqezi, qoftë edhe për një ndeshje të vetme. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *