Ndriçim Shtubina ka përfunduar 2 javët e karantinës dhe pas një izolimi total në shtëpinë e tij, tashmë ka dalë të stërvitet në fushë, sigurisht që duke respektuar masat për sigurinë shëndetësore. Sulmuesi i Vllaznisë ka postuar edhe një video në rrjetin e tij social në “Facebook”, ku shihet duke provuar goditjen e tij nga distanca. “Kur bën si mjeshtër pas karantinës” ishte mbishkrimi i zgjedhur nga lojtari shkodran, që ka marrë edhe replikën e trajnerit të Teutës, Edi Martini.
Ky i fundit ka shkëmbyer një batutë me Shtubinën duke i vënë në dukje mungesën e saktësisë në goditje. “Të gjitha herët që paske gjuajtur e paske nxjerrë jashtë”, shkruan trajneri shkodran, që merr menjëherë kundërpërgjigjen e lojtarit: “Profe e kam ruajtur për ju në Kupë”. Kjo ka qenë edhe batuta e Shtubinës, që me Vllaninë e tij do të luajë kundër Teutës për të vijuar rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë.
Megjithatë biseda nuk është ndalur me kaq dhe ka vijuar më tej. “Pse edhe aty jeni?”, ishte pyetja e Martinit, ndërsa lojtari shkodran jo vetëm që pohon po nënkupton se synimi i tyre është ta ngrenë lart atë trofe për të prerë më pas edhe një biletë në kualifikueset e Kupave të UEFA-s, duke thënë: “ne jemi në kupë dhe pas kupës në Europë”. Një ndeshje kjo që ka nisur para kohe me këto batuta të shkëmbyera në rrjetet sociale, pavarësisht se gjithçka është thënë në mënyrë shoqërore./Halit Delibashi-Sport Ekspres/