“E kam luajtur edhe basketbollin“, Braçe: Daja i bën bashkë me dhe pa top, lexova një tifoz të ndershëm të Tiranës…

Erion Braçe ka një lidhje të fortë me futbollin, teksa njihet nga të gjithë si një tifoz i madh i klubit të Partizanit. Zv/kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka folur rreth dashurisë së tij të madhe për sportin dhe për klubin e kuq të kryeqytetit në emisionin “Jashtë loje“ në “Top Channel“, ku rrëfehet mbi pasionet e fëmijërisë, marrëdhënien me Gazmend Demin, vlerën e Dajës te Parizani dhe sigurisht… derbi me Tiranën.

“Kur isha në gjimnas më pëlqente basketbolli. Kishim një palestër në shkollën “Myslym Keta”. Atje profesorët organizoheshin, shikonin. Filluam të luanim edhe basketboll. Konkurrenca është e fortë në basketboll, se ka më pak lojtarë. Por edhe atë e kam bërë.

Gazmend Demi është një mik, një shok, një vëlla, një njeri që e ka marrë Partizanin në momentin më të vështirë. Përtej miqësisë, marrëdhënieve familjare, unë si tifoz i Partizanit i jam mirënjohës Gazit dhe familjes së tij për atë që kanë bërë për Partizanin, që vijojnë të bëjnë për Partizanin, por mbi të gjitha për vizionin. Partizanin nuk është një gjë që e ke njëherë në javë. Jo Partizani është një gjë që ose e ke, ose nuk e ke. Kam parë edhe 80-vjeçarë në stadium. Është një dashuri e përjetshme, është pjesë e jotja.

Ne kemi fituar aq shumë derbi, sa që është bërë dhe film. Tili do vazhdojë ti thojë big mamës se si vajti në stadium fshehurazi babit dhe përsëri u rrah nga Partizani. Ai film nuk do tjetërsohet, ashtu do të ngeli. Është një film që përsëritet, përsëritet, përsëritet dhe tani është bërë një histori aq e madhe sa që kur u përsërit para një jave u përsërit për ne si fitore, si sukses dhe për ata si dramë. Nuk janë 5 vite, ka një pauzë, vazhdon tani dhe do vazhdojë edhe 5 vite të tjera. Lexova një tifoz të ndershëm të Tiranës që thoshte: “Shyqyr që derbi është vetëm 4 ndeshje në 1 sezon, se po të ishte 10 Tirana do dilte nga kategoria prapë“. Kam shumë miq tifoz të Tiranës por nuk i ngacmoj. I vetmi që ngacmoj është Tefik Osmani. Atë po. Ai është bërë tani, nuk është tirons i vjetër. Pas derbit më vjen ta ngacmoj. Herë e ngacmoj, herë jo, por ç’rëndësi ka.

Nuk është e thjeshtë të krijosh frymë grupi. Unë kam që nga viti ’91 që merrem me këtë zanat dhe është mjaft e vështirë të krijosh frymë grupi. Është shumë e vështirë të bësh bashkë njerëzit, të bësh bashkë zemra dhe forcë fizike. Ta shikosh sot Juventusin nuk ka identitetin që kishte me Alegrin. Ndërkohë që edhe me Gegën, por më së shumti me Gegën Partizani ka një mënyrë loje. Ilir Daja i bën të gjithë bashkë me topin dhe pa topin dhe i çon te rezultati përfundimtar. Kështu që pafund mirënjohje Dajës për atë mënyrë loje që po edukon te Partizani. Prandaj do jetë gjatë atje besoj unë”, ka deklaruar Erion Braçe./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *