E gjithë Argjentina tifo për Nigerinë, ja kombinimet e mundshme!

Një humbje djegëse, neto. Argjentina ecën në një fije të hollë, që mund të këputet. Spektri i eliminimit është kthyer një hije e zezë që qëndron si ai xhelati që mban sëpatën në dorë… Pas barazimit në ndeshjen e parë ndaj Islandës, ka ardhur një tjetër disfatë ndaj Kroacisë. Një ecuri e mjerueshme: tani Mesi me shokë janë me shpatulla pas murit. Për zëvendës kampionët e botës në fuqi, dalja në tur të parë do të ishte katastrofë, por jo ende e sigurt.

Kombinimet – Në këtë situatë delikate në grup, duke konsideruar që në rast barazim pikësh me Islandën merret diferenca e golave (sepse takimi direkt ka përfunduar në barazim), e gjithë Argjentina duhet të bëjë tifo për Nigerinë.
Një fitore e Islandës ndaj Nigerisë do të dënonte, edhe pse jo në mënyrë matematikore, amerikanolatinët. Në fakt, në atë rast, Argjentina do të duhej të fitonte me shumë gola diferencë ndaj afrikanëve, duke shpresuar që Kroacia të mundë Islandën: edhe një barazim mes dy skuadrave do të ishte një lamtumirë nga botërori.

Nëse do të mbaronte në barazim mes Islandës dhe Nigerisë, Mesi me shokë duhet të mundin Nigerinë, duke shpresuar që Islanda të mos fitojë ndaj Kroacisë.

Në fund, zgjidhja më e mirë: fitore e Nigerisë, që do t’i dhuronte Argjentinës të kishte fatin në duar, të paktën pjesërisht: në fakt, amerikanojugorët, në atë rast, me sukses ndaj Nigerisë, me shumë gola diferencë, do të kishin shumë shanse. Islanda, në fakt, për të eliminuar Argjentinën, do të duhej të fitonte ndaj Kroacisë gjithashtu me shumë gola diferencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *