“E futëm veten në presion, për 10 minuta dhuruam shumë”, Shehi tregon problemin e Tiranës: Kur mungon Toshevski, futemi në dilemë

Kryeqyteti është veshur i kuq. Partizani ka mposhtur Tiranën 1-0, në një përballje që nuk mungoi loja e bukur dhe rastet për gol. Ndeshja u vendos që në minutën e 4-t, kur Xhuliano Skuka tundi rrjetën e Tiranës. Partizani udhëheq tabelën e klasifikimit, duke u shkëputur 4 pikë larg Tiranës. Pas përfundimit të derbit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport”.

Shehi (Tirana): “Ne, pavarësisht ndryshimeve, sepse jemi edhe të kushtëzuar ngaqë nuk kemi Toshevskin dhe Behiratçen. Ne futëm veten në presion. Në 10 minuta i dhamë mundësinë kundërshtarit shumë herë. Derbi vendoset nga episodet. Nuk mendoj që është thelbësore ndryshimi. Dje kemi marrë sinjal që Behiratçe nuk është i gatshëm. Na futi pak në pështjellim dhe kërkuam të luanim me Lulajn nga e djathta. Kur e fut veten në presion dhe kur i jep në minutat e para raste kundërshtarit, ndëshkohesh. Veliu ka bërë ndeshje të mirë. E përgëzoj. Na dha frymëmarrje në nisjen e lojës nga këmbët e tij. Kur na mungon Toshevski, na fut pak në dilemë. Iseni nuk është përshtatur ende me skuadrën. Mungon ajo dëshira për të qenë pjesë e skuadrës. Mungesa e lojtarit që na jep besim në krahun e djathtë na sjell pështjellim. Është kampionat i gjatë, akoma nuk ka mbaruar gjysma. Pas këtij pushimi do të kërkojmë të rikthehemi aty ku duam ne. Është edhe një gjë tjetër, loja u ndërpre shpesh. Sa më shpesh të ndërpritet, humbet ritmi”.

Kolela (Partizani): “Në të gjitha ndeshjet ka edhe gjëra pozitive, edhe gjëra negative. Merkatoja? Janë vlerësime që do i bëjmë me qetësi. Nuk është momenti që të flasim tani. Do të ulemi me drejtuesit dhe do të vendosim për pikat ku do të përforcohemi. Nga kjo ndeshje kam kuptuar që duhet të kemi më shumë eksperiencë. I kemi menaxhuar më mirë emocionet e lojtarëve se sa në derbin e kaluar. Kjo mendoj që për lojtarët profesionistë është një gjë shumë e madhe. Diçka negative është që nuk arrijmë të menaxhojmë minutat e lojës pasi kalojmë në avantazh. Por në këtë ndeshje menaxhuam mjaft mirë në fazën mbrojtëse dhe për minuta të tëra arritëm të mos pësojmë gol. Sipas meje, shumë situata të tjera duhet të menaxhohen me qetësi dhe personalitet. Nota ime për skuadrën? Do t’i jam një notë të mesme, 6.5. ”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *