Në ndeshjen mes Kukësit dhe Laçit kanë festuar dy skuadra në fundin e takimit, kurbinasit dhe Tirana. Verilindorët hynë me vonesë në fushën e lojës teksa Guindo realizoi dy gola në vetëm tre minuta. Fillimisht me gabimin e mbrojtësave të Kukësit dhe më pas me shërbimin e bukur të shokut të skuadrës, atje ku Guindo nuk mund të gabonte.
Me një avantazh 0-2 që në minutat e para, Laçi e kishte më të lehtë për të menaxhuar ndeshjen dhe u kthye e gjitha mbrapa. Kukësi e kishte të vështirë që të gjente hapësirat, ndërsa goli i anuluar i Lulaj në fundin e pjesës së parë kishte shumë polemika.
Meta ishte i sigurt se në zonë kishte faull dhe pas rishikimit të pamjeve, i qëndroi vendimit për anulimin e golit. Minutat e fundit janë bërë dramatike teksa Hila gaboi penalltinë në të 90 duke goditur traversën, pa arritur të barazonte rezultatin. Kështu Laçi afrohet më tepër me Mirel Josën në vendet e para, ndërsa Tirana feston për shkëputjen me katër pikë nga Kukësi. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport” pas ndeshjes:
Gjici: “Nuk kuptoj një gjë dhe më vjen keq për Memën që thotë se vendimi është i drejtë. Ai gol ishte shumë i rregullt dhe e kam mbi tre herë, nuk e kuptoj në asnjë moment se ku ishte faulli dhe prekja me dorë. Nëse do të ishte për Tiranën, Mema nuk do ta thoshte. Kur të jesh në studio, duhet të zhvishesh nga tifozllëku. Nuk e di dhe nuk e kuptoj se ku ishte faulli. Madje lojtarët e Laçit po bënin mundje ndaj atyre të Kukësit. Por gjithmonë Meta është laçian, megjithëse nuk është vetëm punë arbitri. T’i përvisheni trajnerit të huaj, nuk më duket mirë. Jam lodhur për 10 vite duke folur në studio sportive. Solla trajner të huaj dhe po të ishte shqiptar, nuk do të flisnin kështu. Jam i bindur se VAR nuk e anulon atë lloj goli, por Kridens Meta e anulon sepse dihet, mbiemrin e ka laçian. Forca Tirona!”.
Longo: “Jam shumë i mërzitur, shumë i mërzitur. Tani nga kjo situatë që ndodhi duhet të mësojmë, nëse nuk mësojmë, jemi budallenj. Nuk dua të kërkoj alibi dhe në një humbje, gjithmonë duhet të mbash përgjegjësitë. Kush ishte ai në studio që tha se ky gol ishte i parregullt? Mos është ndonjë pjesëtar i Laçit? Doni të flasim për CV tona, atëherë dhe unë kam fituar shumë tituj. Ai ishte goli i qartë. Para kësaj ndeshje, të gjithë njerëzit po më sulmonin se thashë se nuk jemi si Tirana. Tani më sulmojnë se ekipi nuk është i mirë për vendin e parë. Një gol na anulua dhe do të shkonte 2-2, më pas me penalltinë e Hilës do të shkonte 3-2. Duhet të dimë se kush jemi”.
Mirel Josa: “Nuk kam festuar si sot kur isha te Tirana se atëherë ka pasur ekip të mirë dhe unë isha më i qetë, por ka pasur edhe dy tre raste atëherë. Për mua është shumë e rëndësishme ajo që kam parë në 10 minutat e fundit. Djemtë po luftonin dhe po mbronin njëri-tjetrin, kjo ka rëndësi të madhe. Duhet të bënim më tepër në sulm kur u ngushtua rezultati për t’i thënë Kukësit se duhej të kishte kujdes dhe të mos hidhej i gjithi në sulm. Tirana po kryeson me meritë, ka problemet e saj dhe do ta shohim me qetësi në vazhdimësi. Kemi deri të martën kohë që të rikuperohemi. Të mendojmë për Tiranën që sot dhe jo të festojmë për Kukësin”.