Kastrioti deri më tani ishte “macja e zezë“ e Tiranës, por “mallkimi“ është thyer mbrëmjen e sotme. Madje me goleadë. Bardheblutë e kanë kthyer në një ndeshje me një portë, teksa fitoi me rezultatin 4-0. Redon Xhixha është ai që hap serinë e golave. Kallaku fiton një 11 metërsh dhe Xhixha shkon të godasë topin. Sali arrin të presë penalltinë, por topi shkon më pas sërish në këmbët e Xhixhës dhe këtë herë goli është i pashmangshëm.
Kryeqytetasit sulmojnë sërish për të gjetur golin, por portieri është në lartësinë e duhur. Megjithatë aksionet e shumta bëjnë që Tirana të gjejë sërish rrugën e rrjetës. Kallaku tund rrjetën në minutën e 36, ndërsa në të 44-tën ishte Patrik që e mbylli pjesën e parë me rezultatin 3-0. Në të dytën Tirana vijon të mbajë të paprekur rrjetën, megjithëse Karakaçi iu afrua golit, por topi goditi shtyllën. Bardheblutë shënojnë përsëri në minutën e 84-t me anë të Nikqit, i cili mbyll çdo histori në këtë takim. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët janë prononcuar për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.
Çela (Kastrioti): “Nuk dua të ndaloj shumë te ndeshja. Padyshim që është përgjegjësia ime. Vij sot me një njoftim shumë të rëndësishëm këtu. Jam takuar sot me drejtuesit e klubit dhe lojtarët. Kam paraqitur dorëheqjen për arsye personale. Nuk është një vendim që vjen në mënyrë emocionale. Kam pothuajse një vit që kam punuar te ky ekip. I falenderoj të gjithë. Falenderij presidentin që më dha një mundësi të tillë, të drejtoj në kampionatin më të mirë në Shqipëri. Është për arsye personale. Shpresoj të mos më vinin në siklet me pyetje. Nuk ka kthim pas. Është ekip i mirë. Kushdo që do të vijë besoj se do të bëjë mirë me këtë klub.”.
Kallaku (Tirana): “Goli në momente të caktuara kur vjen në minuta të shpejta në futbollistëve na jep më tepër lirshmëri. E dinim që na priste një ndeshje e fortë, por jam shumë i lumtur që arritëm të shënonim shpejt. Kam pothuajse 6-7 ndeshje që po vuaj nga muskujt e barkut. Shpresoj që nga janari të rekuperohem. Mundohem që gjatë lojës të jap maksimumin tim, nuk e mendoj fare dëmtimin. Në momentin që ndjej dhimbje flas me trajnerin. Kombëtarja? Nuk dua të shoh aq larg për momentin, pasi vij nga një moment jo i mirë i imi. Duhet të jap maksimumin nga Tirana, sepse nga Tirana mund të kapet Kombëtarja”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/