FSHF ka marrë një vendim të minutave të fundit sa i përket kampionatit shqiptar dhe aktivitetit futbollistik në vendin tonë. Duke parë përshkallëzimin e situatës, nuk do të zhvillohet asnjë takim deri në njoftim të dytë.
Ndërkohë UEFA do të dalë me një konferencë shumë të rëndësishme në ditën e martë. Atje do të mësohet edhe fati i shumë kampionatëve për ecurinë e tyre dhe mënyrës sesi do të ndahen gjërat për këtë situatë të pazakontë që gjendemi pas përhapjes së frikshme të Koronavirusit. /Sport Ekspres/
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19.
Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.
Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ku edhe Shqipëria është pjesëmarrëse, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike evropiane.