Shqipëria i mbylli kualifikueset e Botërorit në vendin e tretë. Kuqezinjtë lanë pas vetes Hungarinë dhe nuk mundën që të përmbushnin ëndrrën e madhe të shqiptarëve, për të tejkaluar edhe Poloninë.
Por tashmë djemtë e drejtuar nga Reja do të rikthehen që të luajnë në Ligën e Kombeve. Pasi morën vendin e parë në Ligën C, Shqipëria është pjesë e Ligës B. Vetëm pak minuta më parë është mësuar edhe shorti i Ligës së Kombeve teksa goglat rezervuan për kuqezinjtë këta rivalë: “Rusi, Israel dhe Islanda”. Më poshtë gjeni prononcimin e trajnerit të Shqipërisë, Rejës, për “RTSH Sport”.
“Ajo që më interesonte më shumë ishte largimi i Serbisë nga grupi, gjithashtu nuk doja edhe Norvegjinë. Nuk është keq si grup. Rusia ka humbur ndaj Kroacisë, por është një ekip i fortë. Për ne do të jetë një test i rëndësishëm për të treguar nëse e meritojmë këtë kategori dhe nëse jemi rritur. Këto transferta do të jenë shumë të gjata në rrugëtim nga Rusia në Israel dhe Islandë, do të jetë problem për organizimin e udhëtimeve.
Dua të kem vetëm gjendjen më të mirë të lojtarëve. Broja ka shumë potencial të madh, unë kam kritikuar sjelljen e Brojës që duhen përmirësuar, asnjëherë nuk kam vendosur në dyshim aftësitë e tij. E pres krahëhapur Brojën dhe të gjithë lojtarët e tjerë. Vetëm se futbollistët duhet të japin gjithçka edhe kur nuk janë me topin në zotërim”, tha Reja. /Sport Ekspres/