Nuk mjaftojnë pikët e shumta që Liverpuli ndodhet para Manchester City-t në “Premier League”, Jurgen Klop do të mbetet sërish po i njëjti. Mund ta dashurosh ose urresh, një rrugë të mesme nuk ka me këtë trajner.
Gjatë ndeshjes së sotme ka arritur të fitojë me shifrat 2-1 ndaj Bournemouth. Te goli i dytë i anglezëve, Klop zgjodhi që të festonte si i çmendur përpara anësorit, për t’i treguar gjithë inatin. Shumë mendojnë se duhet të ketë një dënim të menjëhershëm, ndërsa tekniku tregon arsyen që e ka shtyrë për të bërë këtë gjest. Sipas tij goli i parë i shënuar nga Bournmouth në atë avantazh të përkohshëm erdhi nga një faull në favor të Liverpulit, por që nuk u dha nga arbitrat.
“Pyetja ime është sesi është e mundur që ju e keni parë këtë gjë dhe nuk keni thënë që kjo është faull. Arbitri Mike Dean jam i sigurt që ka parë faullin por nuk mund të ndërhynte më, sepse nuk është më puna e tij. Pastaj VAR-i fshihet pas frazës: “Jo e pastër dhe e qartë”. Kjo nuk ka kuptim pasi faull është faull dhe kur nuk është, atëherë nuk është. Por kur ti e sheh këtë dhe thua: “hajde e luaj tani se nuk ka problem”, asnjëri nuk ndihet mirë pas kësaj.Të gjithë e dinë atë që ndodhi”, ka thënë Klop. /Sport Ekspres/