Në akademinë e Bayern Munchen, përpara disa viteve ishte Meritan Shabani që shihej si e ardhmja e gjigandëve gjermanë. Mesfushori shquhej për “trurin” e përdorur në fushën e blertë, por edhe sa i përket konkretizimit të saktë në portën kundërshtare. Në Gjermani ishin të bindur për të ardhmen e ndritur të djaloshit, që megjithëse nuk iu krijua hapësira në ekipin e parë të Bayern Munchen, kishte transferim me hap të madh.
Shabani do të nënshkruante me Wolves që ndodhej në Premier League. Fillimisht kontributi duhej të jepej te ekipi i U-23, ku mesfushori po niste të shkëlqente dhe mori disa thirrje nga ekipi i parë. Më pas nisi mallkimi i Meritanit me dëmtimet që e lanë për një kohë jashtë fushës së blertë. E njëjta gjëndje e shoqëroi edhe në huazimin e tij te Venlo në Holandë.
Mesfushori u kthye në fushën e blertë për të luajtur me të rinjtë e Wolves vetëm në javët e fundit të kampionatit që lamë pas. Mediat britanike bëjnë të ditur një fakt të ri dhe të çuditshëm për Shabanin së fundmi, që nuk ndodh shpesh në këto nivele të futbollit profesionist.
Lojtari shqiptar është dërguar që të stërvitet me Grashopërsin në Zvicër. Madje në ditën e nesërme pritet që të luajë në një ndeshje miqësore kundër FC Schaffhausen. Por nga ana tjetër kartoni i tij zotërohet ende nga Wolves që nuk e ka shitur apo huazuar te Grashopërs. Si të ishte një lojtar kalceto, por me siguri që zviceranët i kanë kërkuar provën Shabanit duke mos i besuar më nivelit të tij pas dëmtimeve të shumta. /Sport Ekspres/