Florian Kamberi është një sulmues ndryshe në organikën e Rejës dhe aftësitë e tij do t’i shohim në fushën e blertë në këto tre ndeshjet e muajit mars. Trajneri italian nuk e ka pasur në dizpozicion këtë futbollist pasi në thirrjen e parë ekzistonte një problem me dokumentacionin, ndërsa më pas rregullat e COVID në Zvicër do ta linin jashtë Kombëtares. Në një intervistë për “Supersport”, Kamberi ka treguar besimin e madh që i ka ofruar Shqipëria.
“Hera e parë që u thirra nga Shqipëria ishte në nëntor 2019. Kisha një dëmtim dhe nuk isha në gjendje të luaja. Gjithashtu edhe dokumentacioni im nuk ishte i gatshëm me kohë. Vitin e kaluar, u bë shkak pamundësia për të fluturuar për shkak të pandemisë. Mora sërish ftesë, por nuk mund të shkoja, sepse isha infektuar me Koronavirus.
Ka qenë e çmendur ajo që më ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit. Kanë ndodhur shumë gjëra, por shumë prej tyre jashtë kontrollit tim. Ishte zhgënjyese dhe e vështirë, sepse dua të luaj për Shqipërinë. Jam i kënaqur që jam në formë, jam me skuadrën e Shqipërisë dhe jam gati të luaj.
Jam i përqendruar në tri ndeshjet e ardhshme. Është bukur që kemi disa ndeshje të mëdha, si ato me Anglinë, por para kësaj, shpresoj të bëj debutimin tim kundër Andorrës, për mua do të jetë ndeshje e veçantë.
Jam gjithmonë në kontakt me trajnerin dhe Sergion(ndihmësi). U takova me Sergion dhe bashkëshorten e tij në Skoci. Ata erdhën për të më vizituar kur isha te Hibs. Ai erdhi të më shihte kur humbëm 5-2 ndaj Celtic në “Hampden”, në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës. E takova pas ndeshjes dhe të nesërmen shkuam për drekë. Ai dhe Shqipëria kanë treguar shumë besim tek unë dhe tani unë dua t’u shpërblej në fushën e blertë”, u shpreh Kamberi. /Sport Ekspres/