E bujshme/ Vendi i parë në Ligën e Kombeve na jep dhuratën, për herë të parë në histori Shqipëria shkon në vazo të dytë

Shqipëria luan më 24 dhe 27 shtator dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë duhet të marrin maksimumin për të marrë kreun e grupit. Vendi i parë ishte objektiv i vendosur në fillim të edicionit, por që vlera e vetme e tij nuk është thjesht një biletë për në Ligën A në sezonin e ardhshëm. Shqipëria luan për shumë më tepër kundër Izraelit dhe Islandës.

Vendi i parë në grup përkthehet gjithashtu me pozicionimin në vazon e dytë të UEFA-s në shortin për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024. Qeveria europiane e futbollit ka bërë të ditur se në këto kualifikuese do të ketë 10 grupe, ku 7 do të jenë me 5 ekipe, ndërsa tre të tjerët me nga 6 ekipe. Ndërkaq, Kombëtaret do të jenë të ndara në 7 vazo, të cilat do të plotësohen në bazë të renditjes së përgjithshme të Ligës së Kombeve 2022/23.

E pikërisht këtu vjen edhe dhurata e bukur në rast të marrjes së vendit të parë në grup. Një vazo e veçantë do të mbajë vetëm 4 ekipet finaliste të Ligës së Kombeve, ndërsa vazoja e parë përban 6 skuadrat që renditen pas tyre. Më pas në vazon e dytë gjenden Kombëtaret e renditura në vendet 11-20 në këtë edicion të Ligës së Kombëve. Në këtë pozicion mund të mbërrijë edhe Shqipëria në rast se e përfundon e para grupin. Një arritje më vete kjo, që do të na mundësonte një short më të lehtë për Euro 2024.

Kujtojmë se renditja e përgjithshme e Ligës së Kombeve i përmbahet disa rregullave të caktuar. Fillimisht renditet Liga A, ku vendet e para të grupeve të kësaj Lige plotësojnë 4 vendet e para të renditjes së përgjithshme në bazë të pikëve të grumbulluara. Më pas vijon me vendet 5-8, që përbëhen nga renditja e skuadrave që kanë zënë vendin e dytë në grupet përkatëse të kësaj lige e kështu me radhë. Pasi përfundon renditja në Ligën A, vijon klasifikimi për Ligën B sipas po të njëjtave rregullave e kështu me radhë. Pra nëse një ekip i Ligës A renditet gjithnjë më lart se një ekip i Ligave më të ulta, pavarësisht se këta të fundit mund të kenë më shumë pikë të grumbulluara në grupin e tyre. Gjithashtu një Kombëtare që zë vendin e parë në grup, renditet gjithnjë më lart e ekipet e tjera në të njëjtën ligë, pavarësisht pikëve të grumbulluara./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *