Derbi mes Tiranës dhe Partizanit flitet prej disa ditësh, pasi është spektakli dhe frymëmarrja e futbollit shqiptar. Sigurisht që shitja e 10 mijë biletave brenda harkut kohor të 24 orëve, ashtu siç mund ta bënte vetëm Kombëtarja në kohët më të mira, tregon qartësisht interesin për këtë takim.
Spektakël më vete dhe bukuri të madhe i japin edhe tifozët kësaj ndeshje, me banderolat e tyre dhe gjatë këngëve për të përkrahur skuadrën. Por me mbështetësit e Partizanit ka lindur një problem, pasi tifogrupi mbështetës “Ultras Guerrils” shkon deri aty aqsa flitet edhe për një bojkot.
Policia ka marrë një sërë masash për të ruajtur rendin dhe sigurinë në këtë takim, duke kërkuar kartat e identitetit nga çdo tifozë. Por tifozët e Partizanit nuk dëshirojnë që ta bëjnë këtë gjë, ndërsa shprehen se nëse kërkesa do të vazhdojë të mbetet në fuqi, atëherë nuk do të hyjnë në “Air Albania”. /Sport Ekspres/