Lopetegui nuk është më trajner i kombëtares spanjolle. Lajmi tronditës është dhënë sot në mesditë nga presidenti i Federatës Spanjolle Luis Rubiales në një konferencë urgjente për shtyp.
Pritej Lopetegui, por trajneri nuk foli fare para gazetarëve, sepse fillimisht foli Rubiales, i cili ka komunikuar shkarkimin e tij.
Gjithçka lidhet me lajmin e publikuar dje nga Reali i Madridit, që zyrtarizoi marrëveshjen me Lopeteguin, i cili do të ulet në stolin madrilen në korrik. Problemi është se Lopetegui është nën kontratë me Spanjën deri në 2020 dhe nuk u konsultua fare me Federatën spanjolle, që më të drejtë është ndjerë e tradhtuar dhe ka marrë vendimin drastik.
“Jemi të detyruar të prishim kontratën me Lopeteguin. Ka vendime që jemi të detyruar t’i marrim, i urojmë fat trajnerit. Ai ka biseduar me Realin dhe është e drejta e tij, por ne nuk ishim të informuar dhe tani jemi të detyruar të veprojmë”, deklaroi Rubiales.
“Nuk ndihem i tradhtuar. Lopetegui ka qenë i shkëlqyer në punën e tij me kombëtaren, por pastaj lind problemi i bërjes së gjërave pa dijeninë e Federatës, në një kohë që punon për Federatën”.
“Jam i sigurt që lojtarët dhe stafi i ri teknik do të bëjnë gjithçka për të shkuar sa më larg në Botëror, por e pranoj që është një situatë shumë e ndërlikuar”.
Skandalin e ka shkaktuar Reali, që bëri gjithçka publike, ndërsa e njoftoi Federatën spanjolle veten pak minuta para zyrtarizimit të Lopeteguit: “Nuk kam ndërmend t’i jap këshilla Realit si bëhen këto punë, por Lopetegui nuk dëshironte që të bëhej kështu, me një telefonatë pak minuta para njoftimit për firmën me Realin. Spanja është ekipi i gjithë spanjollëve, duhej pak më shumë respekt. Nëse dikush kërkon të nisë një bisedë me një anëtar të Federatës Spanjolle, duhet të bisedojë edhe me Federatën. Ne nuk mund të qëndrojmë të mënjanuar kur një punonjës i yni largohet dhe njoftohemi 5 minuta para zyrtarizimit me një telefonatë”.