E bujshme/ Rregullat sesi do të rinisin ndeshjet në Shqipëri, zbardhet protokolli i FSHF-së

Superiorja është ende në pritje të dritës jeshile nga institucionet shtetërore për të rinisur edhe një herë kampionatin nga aty ku e kanë lënë. FSHF prej disa ditësh ka hartuar dhe dorëzuar në tryezën e qeverisë  edhe planin së bashku me protokollin që do të ndiqet për mbarëvajtjen e sezonit në këtë periudhë jo të zakontë. “ABC News” ka arritur të zbulojë edhe protokollin e Federatës për ta bërë publik me të gjithë.

Për të mbrojtur sigurinë shëndetësore një sërë masash janë parashikuar, si në momentin e ndeshjeve ashtu edhe para pao pas tyre. KËshtu skuadrat nuk do të hyjnë më  në fushën e lojës së bashku me fëmijët apo maskotat, si dhe përpos faktit se nuk do të ketë më shtërngim duarsh, do të mungojë edhe rreshtimi i zakonshëm përpara nisjes së takimit. Stadiumi do të ndahet në 3 zona dhe nuk do të lejohen më tepër se 175 personave në të. Madje të pranishmit do të ruajnë edhe distancën e sigurisë, ku do të ketë një njeri në çdo 3 ulëse.

Stafi teknik dhe lojtarët do u nënshtrohen testimeve të vazhdueshme për Covid-19, ndërsa rezultatet e tyre nuk duhet të vonohen më tej se ora 10 e mëngjesit të ditës kur luhet ndeshja. Gjithashtu do të ketë edhe një zbatim rigoroz të të gjitha kushteve higjeno-sanitare, ndërsa ekipet do të grumbullohen në zona të veçanta, ku nuk do të kenë kontak me asnjë person tjetër të jashtëm./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

NDARJA NE STADIUME:

(Zona1, Fusha) përbëhet nga lojtarët, trajnerët, stafi teknik dhe gjyqtarët.

(Zona2, Tribuna) përbëhet nga punonjës e transmetimeve TV, Stafi dhe Delegacionet e ekipeve dhe disa nga përfaqësues të tjerë të mediave. Ky grup mund të hyjë edhe në stadium, por duhet të mbajë një distancë nga grupi i gjelbër (Zona 1).

(Zona 3, Përreth Stadiumit) përfshin përfaqësues të tjerë të mediave dhe punonjës të tjerë. Pjesëtarët e këtij grupi mund të qëndrojnë vetëm jashtë territorit të Stadiumit.

Sipas protokollit që pritet të përshtatet për ndeshjet në kampionatin kombëtar të futbollit, parashikohet që për organizimin e një sfide maksimumi do të jenë jo më shume se 175 personash. Por për shkak të ndarjes në zona, nuk do të jetë I mundur grumbullimi I më shumë se 90 personave në të njëjtën kohë.

NUMRI I PERSONAVE TE GRUMBULLUAR:

  • Zona 1 Fusha dhe Zona Teknike          88 persona
  • Zona 2 Tribuna                         55 persona
  • Zona 3 Perimetri I stadiumit           32 persona

UDHEZIMET PER USHTRIMIN E AKTIVITETIT:

  1. Një shërbim mjekësor sanitar, i pajisur me skaner për matjen e temperaturës, në hyrjen e stadiumit, për të gjitha subjektet e autorizuar.
  2. Një dokument me të gjitha normat higjieno-sanitare të adoptuara në secilin impiant sportiv, përpara zhvillimit të çdo eventi, i cili u duhet prezantuar autoriteteve, në rast kërkese.
  3. Një modul elektronik për të certifikuar subjektet që do të hyjnë në impiant dhe masa kontrolluese për të evituar sa më shumë rrezikun e infeksionit.
  4. Do të vendosen dezinfektues duarsh në të gjitha këto mjedise për tu ardhur në ndihmë futbollistëve, stafeve dhe zyrtarëve;
  5. Të gjithë stafet të qëndrojnë me maska dhe doreza gjatë punës, para, gjatë dhe pas ndeshjeve; Përdorimi i maskave dhe dorezave është i detyrueshëm sidomos gjatë udhëtimeve të ekipeve, pra në autobusë, në furgona dhe çdo grumbullim tjetër të detyrueshëm në vende të mbyllura;
  6. Hotel ekskluziv për ekipin ose katin / zonat ekskluzive për të shmangur kontaktin me vizitorët e tjerë të hotelit.
  7. Kush hyn në stadium, përveç skuadrave:
  8. Zyrtarët e ndeshjes.
  9. 10 persona zyrtarë të autorizuar nga çdo skuadër, qëndrimi është I lejuar vetëm në tribunë dhe me një largësi prej 2 metra nga njëri-tjetri.
  10. 4 fëmijë për kapjen e topave.
  11. Përgjegjësit e sigurisë publike 4 persona, stjuardët e parashikuar në zonat e piketuara deri në 20 persona, zjarrfikësit 4 persona, operatorët e ndihmës së shpejtë, të parashikuar sipas ligjit.
  12. Vetëm operatorët televizivë dhe gazetarët e rrjeteve titullare të drejtave të transmetimit “live”.
  13. Fotografët zyrtarë dhe zyra e shtypit e të dyja skuadrave.
  14. Gazetarët dhe fotografët e autorizuar nuk do të jenë më shumë se 20 vetë, por ndërkohë ata do të jenë të ndaluar që të kenë kontakte me personelin e dy skuadrave.
  15. Në tribunën e shtypit, të gjithë gazetarët dhe fotografët e akredituar do të duhet të qëndrojnë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit.
  16. Në terrenin e lojës do të mund të zbresin vetëm fotografët zyrtarë të të dyja klubeve. Ndërsa ata të jashtmit do të kenë një vend të rezervuar dhe të kushtëzuar, por kurrsesi brenda terrenit të lojës.