Një lajm që po bën xhiron e mediave italiane dhe i botuar nga “Bild” lidhet me klubin e Milanit. Trajneri Pioli duket se nuk e ka të gjatë te kuqezinjtë, nisur kjo edhe nga rezultatet që po merr në Seria A. Drejtuesit janë duke menduar menjëherë për sezonin e ardhshëm, pavarësisht se matematika i lejon për të shpresuar ende për objektivat e këtij kampionati.
Sipas prestigjozes gjermane, Milani do t’i besojë rolin e drejtorit sportiv dhe trajnerit, gjermanit 61-vjeçar, Ralf Ragnick. Për këtë të fundit nuk do të jetë edhe aq eksperiment, pasi në këtë mënyrë ka arritur që të ngrejë Leipzig në Bundesligë, duke pasur këto dy poste. Që në muajin dhjetor ka nisur kontakti i Milanit për një marrëveshje të tillë, por zyrtarizimi mund të vijë në verë, ndërsa kontaktet janë duke u avancuar gjithmonë e më shumë. /Sport Ekspres/