Nga Klaudio Ndreca
Iu kujtohet Elvis Kabashi? Mbresat që ky futbollist ka lënë për tifozët shqiptarë nuk janë aspak të mira, teksa në kulmin e tij kur po grumbullohej nga ekipi i parë i Juventusit dhe kishte interes të lartë për të, do të vinte një letër në emrin e Kabashit: “Shqipëri, mos më thirr më”.
Pra Kombëtarja kuqezi duhej ta harronte që të kishte këtë futbollist në gjirin e saj pasi po priste Italinë. Por më pas e gjitha kjo është mohuar duke ia faturuar gjithçka një sajese të menaxherit, që kishte shkruar një letër pa dijeninë e lojtarit . Tashmë Kabashi është duke përjetuar një rini të dytë në moshën 26-vjeçare, ndërsa mban veshur fanellën e Renates në Serinë C.
Tre gola të realizuar dhe dy asist në këtë fillim të sezonit, ndërsa në datën 28 nëntor erdhi goli kundër Pergolettese e shoqëruar me lumturinë e madhe pasi mund të shfaqej festa me shqiponjë në një datë të shënuar. “Unë me të vërtetë doja të shënoja atë ditë, sepse kjo ishte data (28 nëntor) e festës së flamurit. Unë kam lindur në Itali, në Massa, por prindërit e mi janë shqiptarë dhe ndihem 100% shqiptar. Gjaku shqiptar rrjedh nëpër venat e mia”, u shpreh Kabashi.
Ndërkohë “Gianluca Di Marzio” që e ka intervistuar, shkruan se Reja është duke e ndjekur me vëmendje lojtarin që ta thërrasë te Shqipëria. ”Nuk di ende asgjë rreth kësaj, por mund të them vetëm një gjë: “Nëse do të më vij ky rast, do të jem i mbushur me krenari dhe do të përmbushja ëndrrën time e të prindërve të mi”.
E teksa kujton kulmin e tij, kur luante me të rinjtë e Juventusit dhe ka marrë disa thirrje në ekipin e parë me Conte-n, Kabashi përfundon: “Ishte sezoni 2012/2013, unë gjithashtu u ula në stol dy herë. Njëherë në kampionat kundër Udineses, tjetri në Kupën e Italisë kundër Lazios. Conte futej brenda teje, ai ka një mentalitet të çmendur. Mbaj mend që ai gjithashtu kërkoi shumë nga ne të rinjtë në stërvitje. Marchisio shpesh më jepte këshilla, por mësoje vetëm kur shikoje kampionë si ai, Vidal dhe Pogba ”, u shpreh Kabashi. /Sport Ekspres/