De Ligt erdhi me bujë të madhe te Juventusi në verën që lamë pas dhe nisur nga sezoni i shkëlqyer me Ajax-in shihej si e ardhmja e bardheznjve. Por gjërat nuk kanë shkuar në mënyrën që të dyja palët dëshironin, teksa në Itali mbrojtësi 20-vjeçar është vendosur shpesh në qendër të kritikave për shkak të paraqitjeve jo të mira në prapavijë. Madje holandezi ka humbur edhe vendin e titullarit që e mori pas dëmtimit të Chiellinit, duke ia dorëzuar turkut Demiral.
Ndërkohë Ajax është treguar vigjilent për këtë situatë dhe tani kërkon që të risjellë sërish në Amsterdam ish-kapitenin e tyre. Sipas asaj që taporton media portugeze “A Bola”, klubi holandez duan që të huazojnë De Ligt deri në fund të sezonit në mënyrë që të përforcojnë mbrojtjen e tyre për të luftuar për objektivat sezonal. Një gjë e tillë do i bënte mirë si Ajax-it ashtu edhe lojtarit, pasi ky i fundit do të fitonte minuta të vlefshme deri në fund të sezonit dhe do të ruante kështu formën e tij. Megjithatë ky huazim duket të jetë i vështirë, duke ditur edhe faktin e mungesave në prapavijë te bardhezinjtë./Sport Ekspres/