Sikur të mos mjaftonte Koronavirusi si një hall i madh për t’u zgjidhur, bota e sportit në Belgjikë është duke përjetuar një situatë të ndezur mes polemikash dhe akuzash. Skandal mund të quhet fakti se me një vendim të fundit, Komiteti i licencave të shoqatës belge të futbollit, RBFA, nuk ka dhënë licencë profesionale për Standard Liege, KV Ostende dhe Mouscron.
Të treja këto skuadra janë pjesë e elitës së futbollit të Belgjikës, ndërsa te Standard Liege luan mbrojtësi Mërgim Vojvoda dhe te KV Ostende kemi sulmuesin Sindrit Guri. Por çfarë dënimi është ky që do të përballen këto ekipe që luajnë dhe shqiptarët?
Gjendja është vërtet serioze dhe me mos pajisjen me këtë dokument për sezonin 2020-2021, nuk do të quhen me skuadra profesioniste. Për këtë arsye do të zbresin menjëherë në “First Amateur Division” që natyrisht lë shumë për të dëshiruar si nivel kampionati. Por ka vetëm një shpresë që kjo dramë mos të ndodhë.
Klubet mund ta kundërshtojnë këtë refuzim që iu bë në Gjykatën e Belgjikës të Arbitrazhit për Sport (BAS). Vendimi i ri do të merret në rastin më të keq në 10 maj, ndërsa nëse do të kishte sërish një përgjigje negative, atëherë të treja këto skuadra të njohura do të shkonin drejt falimentimit dhe bien 2 liga më poshtë.
Arsyet për mos pajisjen me dokumentin profesionist lidhen me mos pagimin e lojtarëve dhe mungesën e dokumentave në të dhënat e stadiumit dhe pjesë teknike. Gjithsesi Sindrit Guri do të largohet nga Ostende në fundin e këtij sezoni, sidoqoftë fati i tyre. /Artikull i punuar nga Klaudio Ndreca për “Sport Ekspres”)