Redon Xhixhën e ndajnë vetëm 24 orë nga transferimi i tij drejt Karabakut. Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer me fanellën e Tiranës dhe tashmë është koha që si vetë lojtari, ashtu edhe klubi të marrin frytet e punës së mirë. “Supersport” bën me dije se palët do të ulen nesër në një tryezë të përbashkët për të diskutuar detajet e fundit të transferimit.
Nëse bisedimet shkojnë në drejtimin e duhur, atëherë 24-vjeçari do të hedhë firmën në kontratë. Bëhet fjalë për një marrëveshje 4-vjeçare për Xhixhën, ndërsa Tirana do të arkëtojë një shumë prej 550 mijë eurosh. Sigurisht që shifrave të tilla nuk mund t’i thuhet “jo”. Kujtojmë se Karabaku është një ekip i njohur në Europë, teksa është shpesh pjesëmarrës në Kupat e UEFA-s. Aktualisht klubi në fjalë udhëheq tabelën e renditjes në kampionatin azer, si dhe ka kaluar grupet e Ligës së Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/