Nga Klaudio Ndreca
Një ndryshim i ri i formatit të Ligës së Kombeve është bërë së fundmi. Gjithçka është e konfirmuar nga vetë nënkryetari i UEFA-s, Boniek. Duke qenë se këtij kompeticioni të ri i ka ikur hijeshia për shkakun se luftojnë seriozisht vetëm Kombëtaret e vogla, ndërsa ato të mëdha e marrin si një miqësore, është menduar një gjetje e re për Ligën e Kombeve që të dërgon në Botëror.
Duke filluar nga viti 2024, këtij kompeticioni do t’i bashkohen disa Kombëtare nga Amerika e Jugut. Për të pasur një ide më të qartë, në Ligën A do të ishte Argjentina, Brazili, Kolumbia, Kili, Peruja dhe Uruguai. Ndërsa katër Kombëtaret e mbetura si Bolivia, Ekuadori, Paraguai dhe Venezula do të ishin pjesë e Ligës B.
Pra nëse Shqipëria e fiton këtë grup të Ligës së Kombeve dhe tejkalon Rusinë, atëherë në edicionin e ardhshëm shorti mund të na vendosi përballë Brazilit ose Argjentinës. “Kjo është Liga e Kombeve të fundit në këtë format. Ne patëm një takim me konfederatën e vendeve të Amerikës së Jugut, nga viti 2024 ata do të bashkohen me ne”, tha Boniek, nënkryetari i UEFA-s. /Sport Ekspres/