Emiliano Bullari ishte lojtari që krijoi një “luftë” të madhe mes Shqipërisë dhe Greqisë. Helenët bën gjithçka për ta marrë në Kombëtare, por aktualisht ky sulmues i përket grupmoshave të kuqezinjëve. Madje për herë të parë edhe Shqipëria do të bënte një përjashtim, pasi e grumbulloi kur ishte 17-vjeç te Kombëtarja U-21, vetëm duke ditur potencialin që zotëron.
Në ditën e djeshme, Bullari ka qenë heroi i Olimpiakosit U-19 pasi shënoi dy gola dhe dha një asist në fitoren 4-2 kundër Panionosit U-19. “Sport Ekspres” ka mësuar edhe një lëvizje të bujshme dhe të papritur në orët e fundit.
Sipas asaj që raportojnë burime të sigurta pranë lojtarit, Emiliano Bullari është ftuar për ndeshjen e radhës të Olimpiakosit që do të luajë në “Europa League” kundër Arsenalit. Vetëm se këtë herë flitet për ekipin e parë dhe jo për të rinjtë. Kjo ftesë erdhi pasi është dëmtuar sulmuesi Sundani i cili do të qendrojë 6 muaj jashtë fushës. Ndërkohë Olimpiakosi zotëron si sulmues vetëm El Arabin dhe Emiliano Bullarin. Duke parë formën e këtij të fundit, nuk do të jetë e habitshme që të lërë gjurmë ndaj topçinjve. /Sport Ekspres/