Magjia e Ronaldos nuk mjafton, teksa Juventusi është duke kërkuar për një sulmues të ri merkaton e verës. Bëhet fjalë për Sergio Aguero, i cili është në përfundim të kontratës me klubin anglez, Mançester Siti. Sipas gazetës italiane, Calciomercato, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë filluar bisedimet me agjentin e lojtarit, Hernan Reguera, për t’i ofruar një kontratë të pëlqyeshme.
Situata duket të jetë mjaft e favorshme për klubin bardhezi, pasi lojtarit argjentinas i përfundon kontratë në verën e 2021 dhe mund ta afrojnë në Torino pa asnjë kosto. Arsyeja kryesore që sulmuesi nuk mori një kontratë rinovimi nga Mançester Siti është për faktin se dëmtimet e shumta kanë bërë që trajneri Guardiola të mos ta aktivizojë shpesh në fushën e lojës.
32 vjeçari është akoma një lojtar mjaft i vlefshëm, pasi zotëron aftësi fantastike në repartin e sulmit. Së bashku me Kristiano Ronaldon, argjentinasi mund të formojë një sulm vrastar tek skuadra bardhezi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/