Cristiano Ronaldo i habiti të gjithë kur zgjodhi që të shkonte në Arabinë Saudite. Megjithatë, qëndrimi i tij deri tani është kthyer në një makth. Portugezi nuk po luan aq mirë sa pritej, e as Al Nassr nuk po arrin rezultatet më të mira.
Ky klub ka mbetur pa trofe edhe në Kupën e Arabisë Saudite pasi mbrëmë është mposhtur në gjysmëfinale nga Al Ëehda me rezultat minimal 1-0. Ronaldo ishte i tërbuar për eliminimin nga ky kompeticion dhe kamerat e kapën pakënaqësinë e tij gjatë dhe pas ndeshjes.
Për shkak të gjithë kësaj mëngjesin e sotëm në mediat portugeze u shfaqën informacione se Ronaldo është i zhgënjyer me situatën në klub, por edhe me kohën e deritanishme në Arabi. Ai priste të dominonte dhe të ishte lojtari më i mirë në atë vend, por kjo nuk ishte një detyrë aq e lehtë.
Edhe pse tashmë është 38 vjeç, Ronaldo beson se mund të luajë në nivel të lartë edhe për disa sezone dhe siç shkruan Abola, tashmë po shfaq shenja pendimi për transferimin te Al Nassr. Thuhet se Ronaldo u tha agjentëve të tij që të përpiqeshin me të gjitha forcat për t’i gjetur një mundësi transferimi në Evropë gjatë verës, madje këtë herë është i interesuar të rikthehet në Sportingun e Lisbonës, që nuk ishte një opsion për të në janar. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/