E bujshme/ Champions League do na ndryshojë futbollin përfundimisht! I përket të pasurve, nuk ka më grupe dhe një renditje e përgjithshme si kampionat

Rendi botëror po ndryshon, futbolli është pjesë zinxhirë e tij. Që në fëmijëri jemi mësuar që të ndjekim kompeticionin e Champions League në versionin e tij origjinal, por nga sezoni 2024-2025 do të duhet të përshtatemi me ndryshime të reja, rrënjësore. Shenjat e para u dhanë me klubet e pasura të Europës që kishin kryengritje dhe kërkonin të shkëputeshin nga ky kompeticion, për të krijuar Superligën e tyre.

Pasi kjo nuk u arrit, tashmë është menduar rikrijimi i po këtij kompeticioni të ideuar, por në mënyrë më diplomatike. E thënë më thjeshtë, Champions League do t’i përkasi të pasurve. Sipas njoftimeve që vijnë së fundmi nga mediat, sezoni 2024-2025 do të ketë ndryshime të mëdha, megjithëse struktura e qartë nuk është mësuar ende, por tashmë janë grumbulluar disa të dhëna, për të krijuar një ide.

Nga 32 ekipe që kemi pasur më herët në këtë kompeticion, tani do të jenë 36 të tilla. Por kjo nuk do të thotë se ka më shumë avantazh për ekipet e dobëta. Deri tani është lejuar që pesë klube nga i njëjti vend të mund të luajnë në Champions League, me versionin e ri, mund të luajnë deri në 7 të tilla, duke iu referuar Anglisë, Spanjë apo Italisë.

Gjithashtu ekipet nga i njëjti vend mund të përballen direkt që në fazën me eliminim me njëra-tjetrën, pa shmangur asgjë nga ndeshje të tilla. Por kryesorja është fakti se nuk do të kemi më grupe, por një tabelë të përgjithshme si në një kampionat normal. Tetë ekipet e vendeve të para do të kalojnë në raundin e 16 më të mirave të Europës, ndërsa do të presin edhe ndeshjet e ekipeve që do të mbajnë vendet e tjera në tabelë nga i 9 deri te 24, për t’iu bashkuar më vonë, sigurisht, fituesit.

Pritet që në fazën “e grupeve”, ku këtë herë do të ketë një renditje të përgjithshme, të zhvillohen vetëm 10 ndeshje me sistem vajtje-ardhje. Pra jo të gjithë do të ndeshen kundër të gjithëve, por këtu mbetet e paqartë mënyra sesi do të përcaktohen këto përballje. Gjithashtu do të zhduken edhe para kualifikueset e Champions League.

Më herët jemi mësuar që ekipet kampioneve të katër shteteve më të dobëta në futboll si San Marino apo Andorra, të luanin një kompeticion parakualifikues me 4 ekipe, përpara se të shkonin në fazën e parë të kualifikueseve. Këto takime do të hiqen dhe ekipet e këtyre shteteve do të futen menjëherë në turin e parë kualifikues të Champions League. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *