Vetëm 22-vjeç dhe e ardhmja ndriçon për Gentian Selmanin. Sigurisht që në bazë të moshës ky portier nuk mund të quhet më talent, pasi është pjekur mjaftueshëm dhe ka eksperiencë mbi shpatulla për të marrë hapin e madh të karrierës.
Pas paraqitjeve bindëse te Menemespori, gardiani është vetëm një hap larg transferimit në elitën e futbollit turk. Yeni Malatyaspor e ka kërkuar me ngulm pas dëmtimit të portierit të parë, Ertac Ozbir.
Sipas asaj që raportojnë mediat turke kemi një akord mes palëve, ndërsa zyrtarizimi do të vijë në orët e ardhshme. Ajo që veçohet te Selmani është rritja e tij shkallë-shkallë, pasi më parë ka qenë pjesë e Laçit duke fituar me meritë emërtimin si një prej portierëve më të mirë të Superiores, për të kaluar në paraqitjet bindëse në ligën e parë turke. /Sport Ekspres/