Ka interesim konkret nga Turqia. Partizani nuk pranon të ulet nën 400 mijë euro. Klubi turk i gatshëm të paguajë klauzolën e futbollistit. Vendoset brenda javës
Eraldo Harlicaj
Deri tani, i vetmi futbollist i Partizanit që ka interesim konkret në merkaton e verës është sulmuesi i krahut, Jasir Asani. Sulmuesi u afrua me “demat” në fillim të këtij sezoni dhe gradualisht arriti të fitonte vendin e tij në formacion dhe të kthehej në një titullar të padiskutueshëm. Shqiptaro-maqedonasi u kthye në protagonist, pasi jo vetëm që fitoni fanellën e titullarit, por në fundin e sezonit shënoi dhe gola të rëndësishëm. Së fundmi, dëshira e tij është të largohet nga Partizani për një kampionat më të rëndësishëm. Asani do që të bëjë një tjetër hap në karrierë dhe të kalojë në futbollin elitar. Ka një mundësi të mirë, pasi interesimi për të është konkret nga Superliga turke e futbollit. Drejtuesit e “demave” janë vënë në dijeni të këtij interesimi dhe janë të hapur për të negociuar në lidhje me shitjen e të riut. Presidenti Gaz Demi nuk dëshiron që të mbajë “peng” futbollistët e tij, por nga krahu tjetër nuk mund t’i lejojë vetes t’i humbasë me parametra zero. Skënderbeu dhe Kukësi po shesin lojtarë, çfarë i mungon Partizanit? Në fakt, shumë gjërat, por temë tjetër kjo.
VENDIMI – Burime të besueshme pranë klubit të Partizanit bëjnë me dije se e ardhmja e Asanit do të vendoset brenda kësaj jave. Klubi i kuq është mësuar me interesin e një klubi të Superligës turke, emri nuk bëhet i ditur, dhe po pret ofertën zyrtare nga ana e turqve.
Të kuqtë kanë biseduar me palën e futbollistit dhe ja kanë bërë të qarta situatat dhe dëshirat e tyre.
VENDIMI I KLUBIT – Partizani nuk ulet për asnjë cent nga klauzola e futbollistit. Të kuqtë duan që në llogarinë e tyre bankare të derdhen 400 mijë euro, aq sa është dhe klauzola e tij, për ndryshe presidenti e ka bërë të qartë: “Nëse nuk paguhet klauzola, të qëndrojë në klub”.
TURQIT – Të njëjtat burime theksojnë se klubi turk është gati të paguajë klauzolën e futbollistit, pasi e kanë ndjekur me interes lojtarin dhe duan ta afrojnë në skuadër. Dëshira e Asanit për t’u larguar mbetet e pandryshuar. Futbollisti ka folur me drejtuesit dhe ja ka bërë të qartë dëshirën e tij. Interesimi për të ishte dhe në janar, por Asani zgjodhi të mos largohej duke qenë se nuk ishte ende në formën e tij optimale.
SEZONI I TIJ – Jasir Asani iu bashku ekipit të Partizanit pas merkatos së verës. Ai u federua fillimisht me skuadrën e dytë të “demave”. Arriti të tregonte vlerat e tij atje dhe filloi të afrohej gradualisht nga trajneri Mark Juliano. Pak minuta në ndeshje zyrtare dhe i bëri vend vetes. Më pas nuk e hoqi askush nga formacioni. Në fund të edicionit 2017-18, futbollisti 23-vjeçar numëroi 29 ndeshje, nga të cilat 26 në formacion. Ai ka shënuar 4 gola duke kthyer vëmendjen drejt tij. Asani njihet për shpejtësinë dhe dinamizmin e tij, por ka besim në aftësitë e tij, pasi e provon portën pa frikë. Goditjet e tij nga distanca kanë qenë një rrezik konstant për portierët kundërshtarë.